Llalla: Hetimi ynë për pasuritë e 100 ministrave, deputetëve e zyrtarëve të lartë
Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla pohon se hetimi për 100 zyrtarët e lartë është ende në proces verifikimi. “Çdo vit, pothuajse 20 zyrtarë shkojnë për ndjekje penale. Ndërsa dënimi më i lartë është me burg, dhe në këto raste kanë qenë zyrtarë tatimorë apo doganierë”
Intervistoi: Roland Qafoku
Ministra, deputetë e gjyqtarë të Gjykatës së Lartë ndodhen në hetim pasuror nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, në një proces që ende nuk ka përfunduar. Kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla tha në emisionin “Intervista nga Roland Qafoku” se, përveç zyrtarëve të përzgjedhur me short, po heton edhe disa të denoncuar nga media apo shoqëria civile. Në këtë intervistë, Llalla ka shpjeguar raportin e kryeministrit Sali Berisha me ILDKP-në dhe ankimimet për dosjet e mbyllura nga prokuroria.
Zoti Llalla, sa zyrtarë të lartë janë aktualisht nën hetim?
Ne momentalisht kemi nën proces kontrolli 100 zyrtarë të nivele të ndryshme, kryesisht në nivele të larta që janë pjesë e administratës së lartë shtetërore, si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, deputetë, ministra, drejtues të institucioneve të tjera publike, një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh etj.
Cila është arsyeja që këta zyrtarë janë nën proces hetimi?
Ligji parashikon disa nga format në të cilat një zyrtar kalon nën procesin e kontrollit të plotë të hetimit administrativ, një ndër të cilat është përzgjedhja me anë të shortit, njoftimet e ndryshme që mund të marrim nga media apo shoqëria civile, lidhur me dyshimet që ato kanë me mënyrën që zyrtarë të lartë mund të fshehin pasurinë, apo problemet që mund të dalin gjatë kontrollit paraprak që ne kryejmë. Një pjesë tjetër zyrtarësh kalojnë nën kontroll për shkak të funksionit.
Pas verifikimeve tuaja, a do të bëni publike emrat e zyrtarëve që kanë rezultuar me probleme në këtë proces?
Në përfundim të procesit ne do të bëjmë publike rezultatet e hetimeve tona. Nuk mund të paragjykohet se si do të përfundojnë hetimet. Ne, në punën tonë bazohemi te provat që grumbullojmë në formën e parashikuar nga ligji dhe normalisht nuk mund të penalizojmë zyrtarë pa fakte.
Para disa kohësh ju kryet një “mega hetim” tek zyrtarët e lartë. Si ka mundësi që të gjithë ata ministra apo deputetë dolën të rregullt?
Jo të gjithë dalin të pastër. Vetëm para pak muajsh, një ministër dhe deputet, Dritan Prifti, kur ai ishte ende nën funksion e ministrit, gjatë hetimit tonë rezultoi me shkelje. Pavarësisht se në përfundim të rezultateve ai ishte vetëm deputet.
Gjatë këtij viti, i vetmi zyrtar i lartë që ka rezultuar me shkelje ka qenë zoti Prifti? Po më parë?
Gjatë këtij viti ka qenë vetëm zoti Prifti. Më parë ka pasur rezultate të ndryshme kontrolli, si p.sh. ambasadorë, drejtues të lartë, prokurorë.
Cila është marrëdhënia juaj me institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme...pasi keni pasur gjithmonë ankesa lidhur me të?
Institucioni që unë drejtoj, ka pasur marrëdhënie korrekte institucionale me të gjitha institucionet, përfshi dhe Prokurorinë. Ankesat tona drejtuar këtij institucioni janë konkluduar edhe në raportin e OSBE-së, sipas të cilit, shkak për rritjen e nivelit të korrupsionit në radhët e administratës publike është dhe mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë nga ana e institucionit të Prokurorisë.
Në çdo rast ne kemi ankimuar për parregullsitë që kemi konkluduar, tek kreu i këtij institucioni, znj. Ina Rama. Por në disa raste, ajo ka vendosur shfuqizimin e vendimeve të prokurorëve më të ulët.
A keni hasur ndonjë rast në deklarimin e pasurisë në një emër tjetër nga zyrtarë të lartë?
Çdo vit, institucioni ynë gjen në shkelje të ligjit rreth 20 zyrtarë të niveleve të ndryshme dhe kjo nuk është një shifër e vogël nga 4 mijë zyrtarë që janë të detyruar të deklarojnë pasurinë. Por krahasuar me vendet e rajonit, institucioni ynë ka rezultatet më të mira të mundshme.
Sa është numri i zyrtarëve që janë dënuar?
Çdo vit, pothuajse 20 zyrtarë shkojnë për ndjekje penale. Apo çdo vit, për rreth 30 deri në 40 zyrtarë që gjenden në kushtet e konfliktit të interesit merren masa administrative. Ndërsa dënimi më i lartë është me burg, dhe në këto raste kanë qenë zyrtarë tatimorë apo doganierë.
Po për problemin lidhur me transferimin e pasurive në bankat jashtë vendit, si procedon ILDKP-ja?
Institucioni ynë ka akses në hetim jashtë vendit, për të cilin ne hasim vështirësitë ligjore dhe kemi kërkuar amendimin e ligjit për këtë, pasi hapësirat tona për hetime jashtë janë të kufizuara. Megjithatë, ne kemi kryer hetime jashtë. Në institucionin tonë kemi ekspertë të huaj, apo bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave, e cila ka hapësira të mëdha për hetim në bankat jashtë vendit.
Zoti Llalla, po pasurinë tuaj kush e kontrollon?
Pasurinë time e kontrollon Kuvendi.
Cilat janë procedurat në verifikimin e pasurisë së një zyrtari të lartë? Zotit Berisha p.sh...
Kryeministri Berisha është zyrtari më korrekt në respektimin e afateve për plotësimin e deklaratës për verifikimin e pasurisë. Në rastin e zotit Berisha, mënyra se si verifikohet pasuria e tij, ai i nënshtrohet procesit të kontrollit paraprak. Kontrollohet nëse me të ardhurat e tij vjetore mbulohen shpenzimet dhe kursimet dhe a janë të ligjshme apo jo. Çdo dy vjet, deklarata kalon në kontrollin për vërtetësinë e saj dhe mblidhen të gjitha institucionet bankare ose jo, të cilat janë në total 40 institucione. Në rastin e zotit Berisha, kemi verifikuar banesën e tij, pasurinë, edhe pasurinë e fëmijëve të tij, edhe kur ata janë jashtë certifikatës familjare.