Rregullorja e re e Kuvendit, ngrihet grupi i punës
Fillon nga puna rishikimi dhe përmirësimi i Rregullores së Kuvendit. Topalli: Kemi Rregullore të shkëlqyer. Dokle: Domosdoshmëria e ndryshimit të rregullores është evidente
TIRANË Merr udhë ndryshimi i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes së arritur mes dy partive kryesore në vend, PD- PS. Mbledhja e parë e grupit të punës, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e Rregullores së Kuvendit u zhvillua dje nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit deklaroi gjatë fjalës së saj se përmirësimi i Rregullores së Kuvendit do të zhvillohet duke marrë si model rregullat dhe procedurat e Parlamentit Europian. Grupi i Punës do të ketë dy bashkëdrejtues, një nga Partia Demokratike dhe një nga Partia Socialiste, përkatësisht Jemin Gjana dhe Namik Dokle. Topalli u përqendrua fort te fakti se ky grup pune duhet të përgatisë përmirësimet e kuadrit ligjor të statusit të deputetit dhe të cilësisë së kontrollit parlamentar, duke iu referuar gjithnjë praktikës se Parlamentit Europian dhe rekomandimeve të KE-së. Krahas Gjanës dhe Dokles në grupin e punës do të marrin pjesë edhe dy deputetët e tjerë: Viktor Gumi dhe Ditmir Bushati. Edhe pse një përbërje e kujdesshme, grupi i punës duket se do të hasë jo pak pengesa gjatë rrugës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se kjo është një rregullore e shkëlqyer, dhe se ajo mund të përmirësohet duke e parë nen për nen me Rregulloren e Parlamentit Europian. Topalli iu referua edhe Kodit të Etikës të miratuar në Parlamentin Europian dy ditë më parë. “Duke lexuar përmbajtjen e këtij kodi të ri të etikës, në fakt ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse ligji mbi konfliktin e interesit që ne kemi kaluar së bashku me disa reforma të tjera janë edhe më të përparuara se, qoftë edhe ndryshimet e djeshme të kodit të etikës në Parlamentin Europian. Unë i kam kërkuar administratës që në dispozicion të grupit të punës të vendosë të gjitha potencialet, jo vetëm burimet njerëzore dhe çdo kërkesë tuajën për ekspertë, por në të njëjtën kohë keni në dispozicion edhe njësinë e kërkimit pranë bibliotekës së Kuvendit”,- tha Topalli. Përpos gatishmërisë së kryetares së Kuvendit, bashkëdrejtuesi i grupit të punës, Namik Dokle, deklaroi dje se rregullorja duhet parë nen për nen. "Parlamenti Europian ka pasur rregullore të etikës dhe megjithatë vazhdon ta përmirësojë. Nga kjo pikëpamje domosdoshmëria e përmirësimit të Rregullores së Kuvendit është evidente. Një element i rëndësishëm ku duhet të shikojmë, nisur edhe nga përvojat e parlamenteve të tjera, është edhe buxhetimi i veprimtarisë parlamentare”,- tha Dokle, duke shtuar se elemente të tilla do të përmirësojnë jetën parlamentare. Ndërsa bashkëdrejtuesi tjetër, ai demokrat, Jemin Gjana, deklaroi dje se fillimisht do të grumbullohen materialet e duhura dhe më pas do të punohet mbi draftet, që do të paraqiten. “Do fillojmë të grumbullojmë materialet e duhura, të kemi në dispozicion rregulloren dhe shtojcat e Rregullores së Parlamentit Europian, do të përcaktojmë një grup prej 2 ekspertësh nga strukturat e brendshme të Kuvendit, duke rënë në dakordësi. Më pas do të kontaktojmë me struktura të OSBE-së dhe struktura të tjera nga të cilat mund të marrim ekspertizë të nevojshme dhe pastaj do të fillojmë hap pas hapi të punojmë mbi draftet që do të paraqiten,” - tha Gjana.
N.P