Të pakënaqurit nga zgjedhjet në PS, Harasani: Karamele për të gjithë
Të mbeturit jashtë kryesisë dhe sekretariateve, pakënaqësi dhe ironi me kreun e Partisë Socialiste. Andis Harasani braktis Asamblenë, kur mëson postin e ri, Taulant Balla, Eltar Deda, Albert Çaçi apo Stefan Çipa të zhgënjyer nga Asambleja
Tiranë Pavarësisht përpjekjeve të kryesocialistit Edi Rama për të krijuar sa më shumë poste dhe funksione në selinë rozë, mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare ka lënë jo pak të zhgënjyer. Ndonëse nuk pati zëra publikë që të shfaqnin qejfmbetjen e tyre për listat e propozuara nga kreu socialist, në ambiente më të ngushta të kafeve apo të bisedave të zhvilluara dje gjatë kohës së votimit, nuk kanë munguar pakënaqësitë. I pari që ka shpresuar një riintegrim në strukturat drejtuese të PS-së dhe që nuk ka ngurruar ta shprehë hapur pakënaqësinë e tij ishte ish-sekretari për Programin, Andis Harasani. Ai u propozua nga kryesocialisti Edi Rama për të drejtuar një nga grupet e punës për Programin (për energjinë), që u krijuan dje për të “qerasur” sa më shumë persona, me qëllim minimizimin e pakënaqësive. Por duket se pritshmëria e Harasanit ka qenë për një post më të rëndësishëm, ndaj kur është njohur me detyrën e re që i ngarkoi Rama në krye të këtij grupi pune, ai ka lënë në gjysmë mbledhjen dhe është larguar para se kryetari të mbaronte fjalimin. Harasani është i vetmi që ka gjetur një mënyrë për të reaguar dje, duke shprehur pakënaqësinë në faqen e tij në Facebook. “Karamele për të gjithë”-ironizonte Harasani propozimet e Ramës për strukturat e reja në PS. Përveç tij, nuk janë përmbushur pritshmëritë e një sërë emrash të tjerë në PS, ku bie në sy Tauland Balla, i cili nuk u bë pjesë e asnjërës prej strukturave apo forumeve të zgjedhura gjatë ditës së djeshme. Pavarësisht se ai vetë nuk ka dashur të shprehet për këtë çështje, mësohet se nuk e ka fshehur pakënaqësinë, edhe pse surpriza e moszgjedhjes i ishte bërë me dije disa ditë më parë nga kryetari i partisë. Megjithatë, burime nga PS thanë se rasti i Ballës ka lidhje me rezultatet e dobëta që ai arriti në zonën e tij në Librazhd në zgjedhjet vendore. Në të njëjtën kohë mësohet se me shumë gjasë, Balla ka mundësi të katapultohet në mbledhjet e ardhshme të Asamblesë në postin e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë. Një tjetër emër që ka mbetur i zhgënjyer ka qenë edhe deputeti i qarkut të Lezhës, Xhovalin Kadeli, i cili priste të ishte anëtar kryesie si përfaqësues i zonës ku dhe është zgjedhur deputet. Po ashtu, listës së të zhgënjyerve i shtohet edhe emri i deputetit të ardhur rishtazi në PS të zonës së Shkodrës, Paulin Sterkaj, i cili duket se ka gjetur si një mënyrë të shprehjes së pakënaqësisë mungesën në mbledhjen e djeshme të Asamblesë. Gjithashtu, pakënaqësi ka patur edhe deputeti i Vlorës, Eltar Deda; ai i Fierit, Albert Çaçi; apo edhe kreu i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa. Madje për këtë të fundit, është ironizuar vendimi i kryetarit të PS-së Edi Rama për të përfshirë në listën e kandidatëve për anëtarë kryesie të kreut të komunës Xarë, Dhimo Kote dhe jo atë të kreut të bashkisë fqinje, Stefan Çipa. “Dhimo Kote është një shembull për ta bërë Tiranën si Xara”- tha me ironi njëri nga deputetët për këtë zgjedhje të Ramës.
Numërimi elektronik i votave në PS nuk e kalon testin
Përpjekja e Partisë Socialiste për t’u bërë promotore e numërimit elektronik ka dështuar dje, pasi aparatura skualifikonte votat jokorrekte. Rama vendosi numërimin manual të tyre
Ka dështuar përpjekja e Partisë Socialiste për të qenë promotore e numërimit elektronik të votave në Shqipëri. Pavarësisht riskut, kjo forcë politike e ka aplikuar dje numërimin elektronik, megjithëse jo me sukses në procesin e zgjedhjeve të kreut të ri të Asamblesë Kombëtare dhe më pas të sekretariatit. Shkak për problemet me numërimin elektronik të votave është bërë skualifikimi i një numri të madh fletësh që bën aparatura, për të gjitha ato ku nuk është votuar korrekt, pra brenda kutisë së përcaktuar në fletën votimit për të sigluar votën. Duke përdorur një nga aparatet jo të posaçme të numërimit të votave, por që përdoret zakonisht nga universitetet në vlerësimin e provimeve, PS ka tentuar që t’i përcjellë një mesazh të qartë kundërshtarëve politikë, se teknologjia e numërimit elektronik është e ardhmja e numërimit të votave në zgjedhjet e ardhshme edhe në Shqipëri. Kështu, fillimisht ka nisur numërimi i votave për kreun e Asamblesë Kombëtare, ku Gramoz Ruçi rikandidonte pa konkurrent. Për pak minuta, aparatura ka numëruar të gjitha fletët e votimit dhe nga 210 të tilla ajo ka nxjerrë të vlefshme 168 vota pro Ruçit, ndërkohë që pjesën tjetër prej 42 votash i konsideroi të pavlefshme. Kjo shifër nuk ka kënaqur drejtuesit socialistë, të cilët kanë urdhëruar komisionin e zgjedhjeve të drejtuar nga Genci Gjonçaj që të bëjë dhe një herë rivlerësimin e votave të nxjerra të pavlefshme nga aparatura. Kështu, pas kësaj, Komisioni ka gjetur edhe 22 vota të tjera pro Gramoz Ruçit dhe duke e shpallur atë si kreun e ri të Asamblesë me 190 vota pro. Më pas, procesi ka vijuar me numërimin e votave të sekretariatit, e cila për shkak të specifikës së fletës së votimit ka qenë një proces që ka shfaqur edhe më shumë vështirësi për aparaturën, duke nxjerrë fillimisht një numër të konsiderueshëm votash të pavlefshme, por me rifutjen e tyre sërish në numërim është bërë e mundur dhe mbyllja e tij. Por problematika e dalë në këtë proces ka detyruar drejtuesit socialistë që të ndërpresin numërimin dhe të diskutojnë për mënyrën sesi do të procedonin më tej. Faktikisht ka qenë kreu i ri zgjedhur i Asamblesë, Gramoz Ruçi, ai që i ka sugjeruar kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të vijohej me numërimin manual të votave. Kjo ka ngjallur diskutime mes socialistëve, ku janë përfshirë edhe një numër i gjerë figurash politike të kësaj force, të cilët janë munduar që të bëjnë të pamundurën për të mos e konsideruar këtë proces të dështuar, kjo më shumë për të mos i lënë hapësira kundërshtarëve politikë por edhe opinionit të gjerë se procesi i numërimit elektronik nuk mund të aplikohet në Shqipëri. Ndaj është vendosur fillimisht që komisioni i votimit, para se t’i kalonte fletët e votimit për numërim elektronik, të bënte një seleksionim të fletëve me probleme nga fletët pa probleme. Por edhe ky veprim ka dalë pa rezultat, ndaj kreu socialist Edi Rama ka urdhëruar që numërimi i votave për anëtarët e kryesisë të vijohej me dorë. Megjithatë, ka qenë vetë Edi Rama ai që gjatë fjalës së tij i ka paraprirë një problematike të tillë, duke e konsideruar këtë mënyrë të numërimit të votave si një test me një aparaturë jo të kohës dhe të gjetur në Shqipëri.