E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullorja e regjistrit te tokes garanci per stabilitetin e ketij sistemi

Pranverën e vitit 2013 pritet përfundimi i regjistrit themelor të tokës, ndaj dhe Kryeministri Berisha kërkoi ruajtjen e ritmit të punës nga administrata edhe gjatë verës, dhe një dyfishim të saj në muajt e vjeshtës. Me rregulloren e miratuar nga task-forca për regjistrin themelor të tokës garantohet paprekshmëria dhe stabiliteti i këtij sistemi. Kryeministri e vlerësoi dixhitalizimin e këtij regjistri si projekt themelor për vendin sot.
Task-forca për Regjistrin Themelor të Tokës miratoi një rregullore e cila përcakton procedurat dhe kushtet për ndryshimet dhe shtesat e funksioneve në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme. Kryeministri Berisha në cilësinë e drejtuesit të task-forcës e vlerësoi rregulloren si mjaft të rëndësishme. Ajo garanton paprekshmërinë dhe stabilitetin e këtij sistemi. 
“Ajo ka rëndësi të madhe, sepse përcakton të gjithë mekanizmin ligjor të funksionimit të sistemit, përcakton rregullat bazë, të cilat do të respektohen me rigorozitet të madh nga të gjithë punonjësit, por garanton edhe transparencën e plotë të funksionimit të sistemit dhe parandalon çdo ndërhyrjeje të pamotivuar ligjërisht në sistem. Jam i bindur se rregullorja përbën një bazë solide ligjore, për këtë veprimtari”, vuri në dukje kreu i qeverisë. 
Kryeministri theksoi faktin se pas regjistrit të gjendjes civile, regjistri i tokës është më kryesori për një vend dhe një shoqëri, ndërsa për Shqipërinë dixhitalizimi i tij është projekti më themelor sot. Ai theksoi se ky regjistër duhet të përfundojë panverën e vitit 2013, ndaj dhe do të ishte e paajustikueshme që të binin ritmet e punës gjatë periudhës së pushimeve
“Ne kemi marrë një zotim që ky proces të përfundojë brenda pranverës së vitit 2013. Natyrisht, kjo kërkon shumëfishim të forcave, mobilizim të burimeve, zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve regjistruese dhe përpunuese. Ndaj edhe kjo mbledhje ka si qëllim kryesor një bilanc dhe përcaktimin e detyrave për muajt që vijnë. Është normale që administrata gjatë muajit gusht do të marrë pushimet me alternim dhe njerëzisht do të kërkoja që pushimet të merren, por pa cenuar ritmin e punës së këtij procesi. Nuk mund të regjistrojmë më pak në muajin gusht, sesa në muajin korrik. Përkundrazi, duhet të bëjmë gjithçka për të qëndruar në lartësinë e muajit gusht e për ta dyfishuar në tërësi procesin në muajin shtator, tetor, nëntor e vijim”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij. 
Kryeministri Berisha e vlerësoi si të prekshëm progresin e këtyre muajve, si në regjistrimin parësor të parcelave, ashtu edhe në trajtimin e materialit të regjistruar. Por programi që po aplikohet në proces e sipër, paraqet problematika duhet të marrin përgjigje në rrafshin ligjor, por në raste të caktuara edhe në rrafshin teknologjik.  Task-forca për regjistrin e tokës ka si objekt pune ndjekjen e Implementimit të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit  të Tokës, me Bankën Botërore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›