Rregullorja, ska konsensus PD-PS

Komisioni i Reformës Zgjedhore
Patozi e Ruçi pritet të kërkojnë shtyrjen me dy muaj të afatit të Komisionit.
PD kundër votimit të fshehtë dhe kufizimit të fjalimeve.
Kuvendi pritet të zgjasë këtë javë afatin e punës për grupin e reformës parlamentare. Në marrëveshjen e 14 nëntorit mes maxhorancës dhe opozitës u ra dakord që grupi i përbërë nga katër deputetë (dy nga PD dhe dy nga PS) të punonte për një periudhë katërmujore. Por, gjatë kësaj kohe shumë pak mbledhje janë bërë dhe, më kryesorja, një pjesë e propozimeve të PS-së nuk janë marrë fare në shqyrtim nga e djathta, pasi janë ose antikushtetuese ose të panegociueshme. Në këtë mënyrë, dy kryetarët e grupeve, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, do të mblidhen për të zgjatur këtë afat një deri në dy muaj. Burime pranë Grupit të Punës bëjnë të ditur se dy propozime të PS-së janë cilësuar si antikushtetuese dhe mbi to nuk pranohet të diskutohet. Konkretisht, amendimi i Rregullores së Kuvendit sa i takon fjalës që marrin anëtarët e Këshillit të Ministrave në diskutimet e projektligjeve, sipas PD-së, është antikushtetues. Sipas opozitës, në nenin 47 të Rregullores duhet bërë ndryshimi atyre (anëtarëve të Këshillit të Ministrave) u jepet fjala sa herë që e kërkojnë për çështjen e radhës së rendit të ditës, por jo për më shumë se 10 minuta. Kur e merr fjalën Kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës. Nga ana e saj, maxhoranca vlerëson se ky propozim bie ndesh pikërisht me pikën 2 të nenit 80 të Kushtetutës, në të cilin thuhet se anëtari i Këshillit të Ministrave ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit ose të komisioneve të tij; atij i jepet fjala sa herë që e kërkon. Propozimi i dytë i Partisë Socialiste, që vlerësohet si i papranueshëm juridikisht për PD-në, është dërgimi në Gjykatën Kushtetuese sa herë që ministrat nuk i përgjigjen interesimit të deputetëve për çështje të caktuara. Sipas socialistëve, në nenin 97 të Rregullores duhet të shtohet një paragraf, sipas të cilit, kur anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për pyetje apo interpelancë në afatin e kërkuar nga neni 80 i Kushtetutës, çështja kalon për gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, në paketën e propozimeve të PS-së është edhe neni i Rregullores, që ka të bëjë me votimet e fshehta të dekreteve. Sipas PD-së, kjo është një pikë që nuk mund të negociohet. Në këto kushte, duket se edhe zgjatja e afatit për Grupin e Punës ka pak gjasa të sjellë rezultat konkret, nëse njëra nga palët nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj. Në një kohë që katër deputetët janë përqendruar te ndryshimi i Rregullores, ende nuk kanë nisur bisedimet për ndryshimin e pikave në statusin e deputetit.
Amendimi i Rregullores
Propozimet antikushtetuese sipas PD
Në nenin 47 të Rregullores bëhet ndryshimi
Atyre (anëtarëve të Këshillit të Ministrave) u jepet fjala sa herë që e kërkojnë për çështjen e radhës së rendit të ditës, por jo për më shumë se 10 minuta. Kur e merr fjalën Kryeministri, ka të drejtë të bëjë komente edhe kryetari i Grupit Parlamentar të opozitës.
Në nenin 97 të Rregullores shtohet neni 97/1
Kur anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për pyetje apo interpelancë në afatin e kërkuar nga neni 80 i Kushtetutës, çështja kalon për gjykim pranë Gjykatës Kushtetuese.
Në nenin 114, pika 3, bëhet ndryshimi
Kuvendi vendos me votim të fshehtë për shkarkimin e anëtarit të organit kushtetues, me shumicën e parashikuar rast pas rasti në Kushtetutë.
Deputetët
PS propozon të hiqet paragrafi në rast se shprehjet ose fyerjet e bëra nga deputeti në seancë plenare tërhiqen prej tij në po të njëjtën seancë dhe deputeti kërkon publikisht ndjesë për sjelljen e tij, masa disiplinore e dhënë në zbatim të pikës 3 të këtij neni anulohet nga drejtuesi i seancës.
Alibeaj: Gjykata Administrative, 2.5 milionë USD
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, tha dje se ngritja e Gjykatës Administrative do të kushtojë 2.5 milionë USD. Sipas tij, struktura, burimet njerëzore, gjyqtarë dhe administratë gjyqësore, duhen ndërtesat, duhen pajisur ato, duhet teknologjia e informacionit, e cila do të duhet të aplikohet. Kanë qenë të dedikuara për këtë qëllim nga USAID-i 2.5 milionë dollarë këtu e tre vjet të shkuara, që për shkak të papërgjegjshmërisë së opozitës humbën. Qeveria shqiptare ka të gjithë vullnetin për tia dedikuar edhe një herë nga buxheti i shtetit, sepse besoj se ajo çfarë rifiton në terma konkretë financiarë prej biznesit është e shumëfishtë ndaj 2.5 milionë dollarëve që kërkon kjo Gjykatë.
ADI SHKEMBI