Ahmetaj: Shtresa e mesme, thelbi i programit të PS
Debati për programin e PS, flet sekretari për Sipërmarrjen.
Pavarësia ekonomike e të mesmëve, thelbi i programit të PS
Sekretari për Biznesin dhe Grupet e Interesit në PS, Arben Ahmetaj, e vlerëson klasën e mesme si thelbin e programit të ri të PS-së. Duke folur për mënyrën e taksimit të ri të propozuar nga PS, Ahmetaj shprehet se taksa progresive do sjellë drejtësi sociale, ndërsa konsumin, ndryshe nga e djathta, PS-ja sipas tij e sheh si të drejtë dhe jo privilegj i një shtrese të caktuar sociale.
Zoti Ahmetaj, tryeza e zhvilluar nga Grupi i Punës që ju drejtoni për programin e PS, që lidhet me çështjet e sipërmarrjes, evidentoi se sfida e këtij programi do të jetë sistemi i taksave. Përfaqësues të biznesit në masë e hodhën poshtë taksën progresive të propozuar nga PS, ndërkohë që edhe taksa e sheshtë nuk ka sjellë rezultatet e pritshme sipas tyre. Cili është reflektimi i parë që del nga këto propozime?
Procesi i programit është një proces i gjatë e i detajuar dhe rruga e tij do të evidentojë të gjitha detajet që politikat tona do të parashtrojnë për programin tonë qeverisës nesër. Më duhet të them se tryeza ishte shumë e suksesshme dhe pjesëmarrja ishte nga të gjitha shoqatat e biznesit dhe më vjen mirë që aty u debatua lirshëm me sipërmarrjen dhe PS. Nuk është se taksa progresive u hodh poshtë nga biznesi dhe se sipërmarrësit dolën kundër progresivitetit në taksim. Më duhet të them një gjë që është thelbësore në këtë proces, programi dhe puna për të është si një det i gjerë dhe askush nga ne, qoftë për çështje specifike apo dhe individuale, nuk mund ta kthejë atë në një pishinë të vogël, kushdo qoftë nga ne. Dua të theksoj se koncepti i debatit tonë me biznesin fokusohet jo thjesht te sistemi fiskal. Nuk duhet të jetë në thelb të marrëdhënies sonë me biznesin sistemi fiskal, por do të jenë çështjet që kërkojnë zgjidhje se si do të rritet dhe zgjerohet biznesi në Shqipëri, si do rritet ekonomia dhe bashkë me të edhe konsumi. Nëse një komunitet sipërmarrjeje fokusohet si do të jetë sistemi i taksave, është si puna e asaj shkalës së përmbysur. Një komunitet biznesi dhe një grup ligjbërësish apo partie politike që aspiron të vijë në pushtet, nuk diskuton thjesht sistemin e taksave, por se si do ndërtojë një marrëdhënie me këtë komunitet. Po të flasim për progresivitetin e taksës, duhet të jemi të qartë se ky progresivitet sjell drejtësi sociale dhe nuk e ngarkon biznesin me taksë të re.
Ka rrezik që vendosja e taksimit progresiv të frenojë investimet e kapitaleve të huaja apo dhe vendëse, për shkak të rritjes së taksimit për to?
Pyetja është me vend. Përpara se të jap një përgjigje direkte do të sjell tri shifra; ka 10 vjet që investimet e vendit janë 20.3% të GDP-së. Dhe po të trumbetonim taksën e sheshtë si një element që ka ndihmuar investimet, atëherë pse në 2007 dhe në 2008 nuk patëm bum investimet private për shkak të taksës së sheshtë? Përgjigja është e thjeshtë: Nuk është taksa ajo që i jep bum investimeve, por është siguria për pronën, është shteti ligjor, një sistem i drejtë dhe i qartë dhe pa taksa indirekte dhe të fshehta. Askush nuk duhet të ketë frikë nga progresiviteti i taksës, sepse do të sjellë një drejtësi sociale në shpërndarjen e ngarkesës fiskale. Edhe biznesi e ngriti shqetësimin e rëndimit të tij përmes taksës së fshehtë. Biznesi paguan korrupsion të shumtë ndaj administratës, duke shtuar këtu ndërhyrjet e shpeshta në sistemin fiskal dhe të gjitha këto e çojnë taksimin e tij përmes kësaj takse të fshehtë disa herë më shumë se taksa progresive, përmes asaj që themi si taksa e fshehtë.
Dy çështjet që u ngritën nga përfaqësuesit e biznesit në tryezën e pak ditëve më parë ishte qartësimi i pozicionit të PS për çështjen e koncesioneve. Sa frenuese mund të bëhet kjo për investitorët dhe a ka rrezik që qeveria e ardhshme të hyjë në një seri penalitetesh si ajo e anulimit të koncesionit të trenit elektrik me kompaninë amerikane General Electric, për të cilën u vendos një shumë e madhe nga gjykatat?
Në tryezën me biznesin pati dy pika shumë të forta në këtë drejtim. Kryetari i PS-së u angazhua duke thënë se: Unë hyj garant se qeveria ime ditën e parë do të mbështesë të gjitha koncesionet që janë marrë sipas ligjit duke zbatuar të gjitha afatet e lëvrimit të detyrimeve. PS do të mbështesë këto koncesione, do ti ndihmojë ato që të lëvrojnë të mirat prej tyre në favor të biznesit dhe ekonomisë më gjerë. Një përfaqësues i biznesit u shpreh qartë se nuk mundet që këto koncesione që nuk lëvrojnë fonde dhe nuk po vihen në eficiencë të mbahen peng. Sigurisht që koncesionet e dështuara, që kanë tejkaluar të gjitha afatet e zbatimit dhe vënies në eficiencë, smund ti mbajmë duke bllokuar sektorë strategjikë. Të gjitha ato koncesione që nuk kanë zbatuar afatet ligjore për arsye të pajustifikuara sigurisht që do të anulohen. Si mundet që një shtrat apo prurje ujore të mbahet peng dhe i pashfrytëzuar nga një biznesmen apo grup biznesi. Mund të ketë disa arsye, por ky bllokim sjell efekte negative edhe në ekonomi. Ne këtë situatë do ta çbllokojmë.
Me taksimin e biznesit, PS duket se qëndron në hullinë e saj të mbrojtjes sociale të shtresave të mesme dhe të varfra, por me përkrahjen e disa shtresave të djathta, si ish-të përndjekurit, ish-pronarët të jepet ideja se PS po thyen një kontur tradicional ideologjik. Shihni një dyzim dhe një ngërç sa i takon identitetit ideologjik të kësaj partie?
Jo, përkundrazi, PS po vjen si një forcë e majtë ku në themel të ideologjisë së saj është mbështetja e shtresës në nevojë, e klasës së mesme, e inteligjencës etj. Politika e PS do ti bëjë këto kategori sociale konsumatorë të të drejtave dhe detyrimeve të shoqërisë shqiptare. Thelbi i së majtës moderne sot në botë është: konsumi nuk është privilegj, por një e drejtë e qenies shoqërore, e klasës së mesme, e shtresës në nevojë dhe jo thjesht e një 4-5% të shoqërisë. Ky është një ndryshim cilësor i së majtës. E djathta e ka ndryshe, promovon konsumin si privilegj. Është klasa e mesme, të punësuarit që do të çojnë ekonominë më tej. Ky është fokusi ynë ekonomik, që këtyre njerëzve tu rritet fuqia blerëse, në mënyrë që edhe biznesi të prodhojë më shumë, të shesë më shumë dhe të fitojë më shumë, duke u bërë pjesë e këtij zinxhiri.
Ka në Shqipëri një shtresë të mesme dhe si mundet PS ta forcojë këtë shtresë. Janë disa teza të hedhura edhe nga zoti Blushi…
Këto nuk janë teza të reja. Klasa e mesme në finale është pjesa më e mirë e ndërgjegjes shoqërore, po ashtu është edhe hallka më e fuqishme e zinxhirit ekonomik. Problemi në Shqipëri nuk është a ka klasë të mesme apo jo, por a e ka krijuar klasa e mesme ndërgjegjen për të qenë promotori i ndryshimeve ekonomike, politike, sociale dhe institucionale. Ajo që po bën PS për të krijuar një pavarësi dhe prosperitet ekonomik dhe shoqëror të klasës së mesme, do të ndihmojë që kjo klasë të ketë një identitet të padiskutueshëm, që të bëhet e padiskutueshme dhe në zhvillimet e ardhshme. Ky është dhe thelbi i programit tonë.
Klasa e mesme nuk është tifoze politike…
Natyrisht klasa e mesme është e ndërgjegjësuar, nuk është tifoze, i lexon me kujdes forcat politike, i njeh programet dhe është kërkuese ndaj politikës. Kjo klasë garanton transformimet politike, ekonomike dhe transferimet paqësore të pushtetit përmes votës.
ARISTIR LUMEZI