E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për korrupsion, Prokuroria rrëzon raportin e qeverisë

Eduart Halimi dhe Ina Rama

Prokuroria: Nuk zbatohet asnjë nga masat e kërkuara nga Ministria, raporti është i gabuar e antiligjor.

Këshilli i Prokurorisë rrëzon kontrollin e Halimit për 2010-2012

Ashpërsohet debati në distancë mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme akuzon Ministrinë e Drejtësisë për manipulim me shifrat dhe mungesë profesionalizmi në kontrollet e ushtruara në organin e akuzës. Përmes një deklarate të Këshillit, shpërndarë dje nga zyra e shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, thuhet se Këshilli ka marrë në shqyrtim dhe ka hedhur poshtë raportin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë pas inspektimit në Prokurori për periudhën 2 dhjetor 2010 deri në 31 janar 2012. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Këshilli më datë 23 mars 2012 mori në shqyrtim raportin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, pas kërkesës së tre prej anëtarëve. Këta tre anëtarë të Këshillit, sipas deklaratës, i kishin kërkuar prokurorit të Përgjithshëm përfshirjen në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Prokurorisë së datës 23.03.2012, ndër të tjera edhe të raportit të ministrit të Drejtësisë për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë në Prokurori përgjatë periudhës 02.12.2010- 31.01.2012. Në mbledhjen e Këshillit, anëtarja përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë, Evgjeni Sinoimeri, pretendoi se Këshilli i Prokurorisë nuk mund të shqyrtojë këtë raport me argumentin se ky raport i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë dhe  jo Prokurorisë. Nga ana tjetër, nga anëtarët e Këshillit u diskutua për procedurë në lidhje me shqyrtimin dhe vlerësimin e këtij raporti. Në fund u vendos që raporti të diskutohej, pasi në ligjin e Prokurorisë përcaktohet qartë kompetenca e Këshillit të Prokurorisë për të marrë në shqyrtim dhe dhënë vlerësime mbi aktet e inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë në Prokurori. “Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë ishte e pranishme në debatin e zhvilluar nga anëtarët e Këshillit, por nuk u përfshi në këtë debat”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prokurorëve.
Akuzat për Ministrinë
Këshilli i Prokurorëve thekson se pasi ka shqyrtuar raportin, vëren se Ministria e Drejtësisë ka përgjithësuar faktet, duke i ngritur deri në rangun e rekomandimeve, vetëm duke u mbështetur në kontrollin e 121 procedimeve penale në prokuroritë e shkallës së Parë, kur ky numër zë vetëm 0.04 për qind të çështjeve të hetuara në 2011. Raporti sipas akuzës, bazohet vetëm në kontrollin e 532 procedimeve në Apel dhe të përfaqësuara nga prokurorët e prokurorive të apeleve Tiranë dhe Durrës, prej të cilave veçojnë vetëm 28 procedime, ku kanë shkelje sipas Ministrisë. Akuza tjetër e Këshillit është se Ministria ka përdorur të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2011, duke raportuar për gjendjen e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjin. “Madje, të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme janë manipuluar duke paraqitur shifra ndryshe nga çfarë janë në realitet”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Prokurorëve. Sipas saj, inspektorët e Ministrisë kanë dhënë konkluzione për ligjshmërinë e vendimeve të mosfillimit, vendimeve të pushimit, vendimeve të dërgimit në gjykim dhe të regjistrimit të procedimeve penale, duke dalë jashtë kontekstit të nenit 56, pasi për ligjshmërinë e vendimmarrjes së prokurorëve vendosin gjykata ose prokurori më të larta. Duke iu referuar gjetjeve të Ministrisë për politikën e dënimit të ndjekur nga Prokuroria, Këshilli thekson se raporti ia faturon Prokurorisë këtë çështje, kur në fakt nuk është Prokuroria që bën politikën e dënimit, por gjykatat me vendimet e tyre bëjnë politikën e dënimit në tërësi dhe për vepra penale në veçanti.

Civilet
Sipas Këshillit të Prokurorëve, Ministria e Drejtësisë është shprehur për procedimet pasurore, të cilat rregullohen me ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Sipas Këshillit, këto hetime nuk janë hetime penale, kështu kurrsesi nuk mund të gjykohen dhe vlerësohen nga MD. Dhënia e vlerësimit nga MD është dukshëm jashtë frymës së nenit 56 të ligjit për Prokurorinë.

Qeveria
Prokuroria e Përgjithshme, në funksion të prioriteteve të shpallura nga qeveria në fillim të çdo viti, mund të përcaktojë një politikë dënimi për t’u ndjekur nga prokurorët. Sipas Këshillit, për vitin 2011 edhe pse në Prokurori nuk kanë ardhur rekomandimet nga ministri i Drejtësisë në emër të Këshillit të Ministrave, Prokuroria ka shpallur prioritetet dhe ka ndjekur një politikë dënimi të ashpër për kategori të ndryshme veprash penale.

Gjuha
“Gjuha dhe terminologjia e përdorur në këtë raport si ‘…sulmon drejtpërdrejtë dhe në mënyrë më agresive sigurinë publike të qytetarëve…asgjeson qëllimet e dënimit penal…minon besimin publik tek efektiviteti i ndjekjes penale,.. drejtësi e vonuar drejtësi e mohuar…etj.’ e koordinuar kjo me manipulim të shifrave tregojnë mosprofesionalizmin e kontrolleve të ushtruara dhe tendencën në sensin negativ të shfaqur në këto kontrolle”, thuhet në deklaratën e prokurorëve.

Ministri: Akuzat tona, të dokumentuara
Halimi: Ina Rama po i përdor prokurorët

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, reagoi dje me disa sqarime pas deklaratës së Këshillit të Prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme. “Neni 148 i Kushtetutës përcakton Prokurorinë si organin e vetëm kushtetues që ka mision të ushtrojë ndjekjen penale e rrjedhimisht të marrë në mbrojtje liritë e të drejtat e shtetasve që cenohen nga kryerja e veprave penale. Ushtrimi i këtij funksioni në mënyrë të pakontrolluar dhe në mënyrë të pavarur nga Kushtetuta dhe ligjet rrezikon interesin publik dhe shoqërinë në tërësi”, thuhet në deklaratën e Halimit. Sipas saj, për të evituar këtë të fundit, funksionojnë mekanizmat e kontrollit konkret të ministrit të Drejtësisë, por edhe mekanizmat e informimit dhe të kontrollit të përgjithshëm të Kuvendit. Halimi thekson se reagimi në media për herë të dytë i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet zëdhënësit të tij, duke përdorur si Shoqatën e Prokurorëve, ashtu edhe Këshillin e Prokurorisë, bie ndesh jo vetëm me situatën e fakteve, por edhe me besimin publik tek organi i ndjekjes penale. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, objekti i inspektimeve të saj në Prokurori është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut mbi ushtrimin e një politike penale gjatë vitit të kaluar nga Prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi. Sa i përket pretendimit se konkluzionet e raportit të Ministrisë së Drejtësisë janë të pavërteta, Halimi theksoi se hartimi i raportit vjetor të Ministrit të Drejtësisë drejtuar Kuvendit përmban fakte të verifikuara përgjatë inspektimeve në terren, të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë përgjatë një viti. “Çdo fakt i paraqitur në të dhe çdo konkluzion i nxjerrë bazuar në faktet e paraqitura gjen mbështetje në inspektimet e veçanta të zhvilluara. Çdo konkluzion i nxjerrë përmban arsyetimin ligjor të faktit të konstatuar”, theksoi ministri. Sipas tij, shkeljet e paraqitura në raportin vjetor të ministrit të Drejtësisë janë gjendje fakti e konstatuar nga inspektimi në terren dhe e dokumentuar me një set aktesh të tërhequra me fotokopje. “Nga ana tjetër, prokurori i Përgjithshëm, ndonëse në shumicën e inspektimeve të kryera nuk ka kthyer përgjigje, në ato pak raste që ka reaguar ka pranuar shprehimisht se shkeljet e verifikuara gjatë inspektimit ekzistojnë”, thuhet në deklaratë.

Trazhgim Sokolaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›