Zef Bushati: Zyrtarët e BE dhe OSBE s’duhet të heshtin për hapjen e dosjeve
Aleanca Demokristiane shpreh keqardhjen që Shqipëria dhe Bjellorusia, janë të vetmet vende të Evropës Lindore ku nuk ka Ligj Lustracioni, në një kohë kur zyrtarët e BE-së dhe OSBE-së po heshtin për ligjin për hapjen e dosjeve. Aleanca Demokristiane i kujton zyrtarëve të BE-së dhe OSBE-së të ndihmojnë në zbatimin në Shqipëri të rezolutës së Këshillit të Europës e miratuar në maj të vitit 2007, përmes të cilës i kërkoi shteteve ish-komuniste të Europës Lindore të dënonin krimet e komunizmit.
Sipas ADK-së të gjitha shtetet ish komuniste e kanë ratifikuar rezolutën duke dënuar krimet komuniste e duke pastruar politikën dhe administratën e vendeve të tyre nga ish-komunistët.
ADK nënvizon se politikanët, diplomatët, qeveritarët, etj, janë të detyruar të tregojnë hapur çfarë ka bërë secili në periudhën komuniste.
Sipas ADK-së, ish-Sigurimi i Shtetit ishte pjesa më e rëndësishme e sistemit komunist kështu që krimet e komunizmit nuk mund të dënohen pa dënuar dhe pastruar politikën dhe diplomacinë nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit.
ADK i bën thirrje partive politike të gjejnë konsensus dhe vullnet politik, për të kapërcyer “pengesat ligjore” antikushtetuese që çuan në mos-dekretimin nga ana e Presidentit të Republikës, të vërejtura edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.