Rreh gjyshen, s'i la në testament shtëpinë
LESKOVIK - Dhunon gjyshen 93-vjeçare, pasi ajo nuk pranoi t'i linte me testament shtëpinë e saj. Ngjarja ndodhi në Leskovik, kur policia e këtij qyteti është sinjalizuar nga urgjenca e spitalit për të moshuarën, që mbërriti në gjendje të rëndë, me plagë të shumta në trup. Policia e Korçës bëri të ditur se arrestoi 47-vjeçarin Spiro Kole. Sipas hetimeve të para, por edhe dëshmive të familjarëve të tij, ai ka goditur duke masakruar gjyshen e tij 93-vjeçare. Mësohet se gjyshja, nipi dhe pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qenë në banesën e tyre rreth orës 19.00 të ditës së diel. Ata janë konfliktuar, derisa nipi ngriti dorë ndaj të moshuarës, pasi ajo nuk ka pranuar të lerë testament për trashëgiminë mbi shtëpinë, si një pasuri e paluajtshme e familjes. E moshuara nuk ka pranuar të bëjë diferencime ndaj fëmijëve të saj. Por kjo i ka kushtuar shtrenjtë, pasi përfundoi në spital me fraktura. Nipi i nervozuar i shkaktoi plagë në trup dhe hemorragji nga goja. E gjakosur e moshuara është çuar në spitalin e Leskovikut. Por mjekët lajmëruan policinë, e cila shkoi më pas në banesën e Spiro Koles dhe kreu arrestimin e tij me akuzën "Plagosje e rëndë me dashje". Ndërsa dëshmitë e bëra nga familjarët e tij kanë zbardhur arsyet e ngjarjes së rëndë. j.gj