E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Opozita, më tepër vota me dy koalicione në zgjedhjet e 2009

 

 Robert Rakipllari

Për kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, opozita do të merrte më tepër vota, nëse do të hynte në zgjedhje me dy koalicione të majta. Sipas Metës, LSI dhe PS do të duhet të konkurrojnë me profilin e tyre dhe mbi bazën e rezultatit të negociojnë për koalicione qeverisëse. Kreu i LSI-së ka folur edhe për marrëdhëniet e tij me Ramën si dhe ka përforcuar qëndrimin e tij për largimin e Berishës para zgjedhjeve. 
Zoti Meta, u desh vdekja e të ndjerit Kosta Trebicka, dëshmitarit kyç të Gërdecit, që PS dhe LSI të riktheheshin në një tryezë pas afro një viti kur u zyrtarizua divorci. Shumëkush mendoi se ju nuk do ta pranonit ftesën e Edi Ramës për takim, por ndodhi e kundërta. A ka qenë i vështirë për ju, një vendim i tillë pas një viti përplasjesh dhe akuzash të ndërsjella dhe cilat qenë arsyet që pranuat të shkonit në këtë takim?
LSI ka qenë gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me PS dhe partitë e tjera të së majtës, për të realizuar objektivat politike të opozitës. Ju kujtoj se edhe marrëveshja e partive opozitare e vitit 2006 u prish, pasi PS preferoi marrëveshje me Berishën për sistemin zgjedhor dhe madje edhe për Kushtetutën. Ju kujtoj gjithashtu, se LSI kishte kohë që kishte kërkuar takim me PS për çështjet e reformës zgjedhore dhe në vend që të angazhohej për të optimizuar cilësinë e Kodit Zgjedhor, që po vonohet në mënyrë skandaloze, edhe për faj të saj, PS u mor me çështjen e koalicionit të përbërë, një shpikje e re në vijim të modelit spanjoll. Pra, ndryshe nga ata që ishin skeptikë për pjesëmarrjen tonë, LSI ka qenë dhe do të jetë gjithnjë e gatshme për takim me PS e partitë e tjera opozitare kur takimet bëhen për koordinimin dhe arritjen e objektivave konkrete e të qarta politike.
LSI e kushtëzoi unifikimin e qëndrimeve të partive të opozitës me hartimin e një strategjie politike për t’i imponuar dorëheqjen e menjëhershme kryeministrit Berisha. A është kjo një taktikë e juaja politike, siç është komentuar për të vënë në provë vullnetin e z.Rama apo mendoni, se është e mundur që opozita e bashkuar mund të gjejë instrumente reale për të arritur atë qëllim që ju artikuloni: dorëheqjen e Kryeministrit dhjetë muaj para zgjedhjeve parlamentare?
Ne nuk duam të vëmë në provë asnjë. Provën të gjithë e japin përpara elektoratit. Ne kemi bindjen dhe përgjegjësinë e plotë politike të besojmë se me Sali Berishën nuk mund të bëhen reforma, nuk mund të bëhen ligje që mund t’i sjellin vendit më shumë siguri, më shumë drejtësi, që me Berishën Kryeministër nuk mund të hetohet deri në fund tragjedia e Gërdecit, pasi ai është përgjegjësi kryesor i saj, që me të kryeministër nuk mund të organizohen zgjedhje të lira e të ndershme. Të mendosh të kundërtën është jo vetëm një iluzion naiv, por edhe një pjesëmarrje në faj, në fajin që i besohet për të bërë reforma këtij njeriu që është personifikimi i mashtrimit, i demagogjisë, i korrupsionit, i shkatërrimit të institucioneve e vjedhjes së votave. Çfarë duhet të bëjë tjetër Sali Berisha për ta njohur profilin e tij politik. A është ai njeriu i piramidave që vodhën mundin e gjakun e një populli të tërë, njeriu që dërgoi ushtrinë kundër popullit të tij, njeriu i vjedhjes së votave, i rrahjes e burgosjes së opozitës, i djegies së medias e burgosjes së gazetarëve, njeriu i Gërdecit, njeriu i paaftësisë qeverisëse dhe i korrupsionit? Ne mendojmë se me këtë njeri kryeministër, shqiptarët nuk mund të kenë as siguri dhe as drejtësi, pasi ai nuk mund të bëjë ligje për drejtësinë, ndërsa është i akuzuari i madh i këtij populli për tragjeditë më të mëdha, që i kanë rënë atij këto dy dekada. Por nuk mund të ketë as zgjedhje të lira e të ndershme, pasi ky njeri në formimin e tij politik nuk e pranon demokracinë e zgjedhjet e lira, por, përkundrazi, është përfaqësuesi tipik i partisë shtet dhe sistemit autokratik. 
Nëse për LSI do të ishte më e përshtatshme një opozitë radikale ndaj maxhorancës aktuale, duke përfshirë edhe braktisjen e Kuvendit, a është kjo e arsyeshme edhe për PS si partia më e madhe e opozitës në Parlament, duke pasur parasysh atë profil opozitar që z.Rama ka manifestuar sidomos pas zgjedhjeve lokale të 2007 dhe angazhimin për reforma të përbashkëta për çështje madhore si integrimi euroatlantik i vendit?
Unë përpiqem të gjej ndonjë produkt pozitiv për PS dhe për opozitën në përgjithësi të asaj, që ju quani ‘profil opozitar’ i zotit Rama dhe nuk më rezulton asnjë i tillë. Nuk mund të quaj të tillë bërjen sundimtar të shqiptarëve të Sali Berishës me vota të majta nëpërmjet shkatërrimit të kushtetutës në natën e 21 prillit, kushtetutë që ishte produkti më me vlerë i qeverisjes socialiste 1997-2005. Nuk mund të quaj produkt pozitiv sistemin zgjedhor, që nuk siguron përfaqësimin e duhur të shqiptarëve në vendimmarrje dhe ngushton hapësirat demokratike të partive të tjera me sistemin zgjedhor, që kanë zgjedhur PD-PS dhe me listat e mbyllura, që përjashtojnë mundësinë e zgjedhjes nga qytetarët; nuk mund të quaj të tillë marrëveshjet Rama-Berisha për betonizimin e Tiranës dhe degradimin e hapësirave publike e sportive për interesa personale, duke shkatërruar përfundimisht kryeqytetin nga ana ekologjike e urbanistike. Nuk mund të quaj reale dhe të mundshme që me Berishën të bëhet reforma e gjyqësorit, pasi Berisha dhe klani rreth tij janë të akuzuarit e mëdhenj të Gërdecit. A nuk u ndryshua rregulloja e Parlamentit vetëm e vetëm që të merren kompetenca nga Presidenti për të kontrolluar të drejtën kushtetuese të tij, për nxjerrjen e dekreteve dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë? A nuk po përpiqet ky Kryeministër të zgjerojë pushtetin e ekzekutivit mbi organin e akuzës, me makinacionet që po bën me projektligjin “Për Prokurorinë”. Si mund të besohet ky njeri si partner i opozitës?! Pra, ky profil i ri opozitar i lidershipit të PS nuk ka qenë gjë tjetër, veçse profili i nënshtrimit ndaj Berishës, i kapjes prej tij, dhe i përfitimeve personale brenda kastës që po ndërtohet.  
Z.Meta, në rast se bini dakord për një strategji që do të kishte si objektiv final largimin e Berishës para zgjedhjeve, a do të ishte ky një hap i parë që PS dhe LSI të hynin në një koalicion të vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009? Apo për këtë lëvizje do të duheshin negociata të tjera, që kanë të bëjnë me kërkesat tuaja të vazhdueshme për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese të 21 prillit? 
Lidershipi i PS tashmë e ka hedhur poshtë një strategji të tillë, dhe vlerësoj, që nuk ia vlen të diskutojmë në mënyrë hipotetike. E rëndësishme është të theksohet se, bashkimi në koalicione zgjedhore bëhet mbi bazën e vlerave, parimeve, qëllimeve dhe objektivave të përbashkëta politike, mbi bazën e angazhimeve dhe përgjegjësive, që merr çdo parti politike përpara elektoratit, dhe jo mbi baza sasiore, që të përfitojmë nga ndonjë presje dhjetore e rezultatit të njëri-tjetrit.
Ju jeni shprehur se e majta do të hyjë me dy koalicione në zgjedhje duke përjashtuar kështu një koalicion të përbashkët me PS. Ndërkohë zëra autoritarë të së majtës, por edhe të pavarur thonë se e majta ka pak shanse të fitojë nëse do të hyjë e përçarë në zgjedhje. Çfarë përgjigje do t’u jepnit ju këtyre zërave dhe a do të ishte jorealiste që koalicioni që do të udhëheqë LSI të pretendonte maxhorancën qeverisëse pas zgjedhjeve të ardhshme?
Në fakt, dalja me dy koalicione është e detyruar nga vetë strategjia, që lidershipi i PS ka zgjedhur për marrëdhëniet e saj me LSI. Në të gjithë veprimtarinë e tij ky lidership ka pasur si objektiv kryesor reduktimin dhe mpakjen e forcës politike të LSI, uljen e profilit e individualitetit të saj. Këtë kishte për qëllim edhe sistemi zgjedhor që u përzgjodh, që PS dhe PD të krijonin një sistem dy-partiak dhe të realizonin rotacionin e pushteteve pa u “bezdisur” nga parti të tjera qoftë majtas, qoftë djathtas. Ndërsa LSI ka pasur një koncept krejt tjetër për bashkëpunimin me PS. Ajo ka zgjedhur konkurrencën e ndershme politike si mënyrën më të mirë për zgjerimin e mbështetjes për të majtën progresiste, si motivimin për reformim të PS dhe reflektimit të saj nga e kaluara problematike jo fort e largët. Pra, ka zgjedhur strategjinë që e majta rritet, duke u rritur çdo parti e saj.
Ndërsa zërave që përmendni ju do t’ju thosha se dy koalicionet opozitare do të marrin shumë më tepër vota, sesa do të merrnin po të ishin në një të tillë. LSI dhe PS dhe koalicionet rreth tyre kanë qëndrime politike të ndryshme për çështje themelore të politikës në Shqipëri, dhe konkurrimi në një koalicion i këtyre dy forcave vetëm se do të dekurajonte p.sh., mbështetjen e atyre qytetarëve që besojnë fuqimisht në qëndrimet dhe objektivat e LSI. Prandaj është koha që të dy këto parti, të konkurrojnë përpara elektoratit me dallimet dhe profilin e tyre politik, me qëllim që të kemi një rezultat real të peshës elektorale të secilës. Një gjë të tillë e bën të mundur edhe sistemi i zgjedhor, që në thelbin e tij bën të mundur që çdo parti të marrë votën e saj e të mos ndikojë në humbjen e tjetrës. Mbi bazën e këtij rezultati dhe të prioriteteve e objektivave programore është e thjeshtë pastaj të negociohen koalicionet qeverisëse. Nëse këto zëra që e sjellin këtë shqetësim vijnë nga e majta e PS në veçanti, duhet t’i bëjnë kryetarit të PS një pyetje: kur ai i dha Berishës ndryshimet kushtetuese për të marrë variantin spanjoll të sistemit zgjedhor, pse nuk mori në konsideratë mendimet tona dhe së të tjerëve se sistemi proporcional i pastër apo sistemi rajonal proporcional me korrektim kombëtar ishin më të ndershmet dhe më të dobishmet edhe për opozitën. Apo ai me koshiencë i dha Berishës edhe ndryshimet kushtetuese, edhe sistemin zgjedhor, ashtu siç e donte ai.
Ekziston një opinion në PS, sipas të cilit LSI në 2005 e dëmtoi të majtën dhe se mund ta dëmtojë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Si i konsideroni ju këto akuza?
LSI nuk është krijuar për të dëmtuar dikë, aq më tepër Partinë Socialiste, të cilën e sheh si aleate potenciale afatgjatë, pavarësisht nga qëndrimi i lidershipit të saj në 2005, kur u iniciua Megadushku vetëm për të dëmtuar LSI, pavarësisht gjithashtu nga qëndrimi i lidershipit aktual, që shkeli me të dy këmbët një marrëveshje që kishte në themel të saj mirëkuptimin për reformën zgjedhore, dhe u bashkua me Berishën, përsëri vetëm për të dëmtuar LSI.
Nëse kishte moment më të volitshëm për të “goditur” PS-në e personalisht zotin Rama ishin zgjedhjet vendore të vitit 2007 kur LSI u tregua shumë luajale dhe përcaktuese për fitoren e opozitës në të gjithë qytetet kryesore, e së pari, në Tiranë. Nuk kishte rast më të “mirë” për LSI për të “ndihmuar” Berishën, pasi kur ai kërkonte votat tona për Kodin zgjedhor në 2007-ën, ndërsa në shtyme 1 muaj zgjedhjet për ta mbrojtur nga “tirani i votës së lirë”, siç e quante Rama Berishën atëherë.
Nëse në 2005, kauza që e ndau LSI-në nga PS ishte keqqeverisja e Fatos Nanos dhe monopolet e të pushtetshmëve rreth tij, cili do të jetë mesazhi politik i LSI për elektoratin e majtë, i cili ka treguar se është i ndjeshëm ndaj asaj që quhet bashkim i opozitës në një koalicion përballë Berishës, një rivali tradicional tashmë për të majtën shqiptare në këto zgjedhje?
Natyrshëm që kryeprioriteti i veprimit opozitar duhet të jetë largimi i Sali Berishës, si simbioza e të këqijave dhe pengesave që i ndodhin shqiptarëve në rrugën e tyre për integrim në Evropë. Por si e përmenda edhe më lart, tashmë LSI dhe lidershipi i PS kanë përvijëzuar profile të ndryshme politike në arritjen e këtij objektivi. Dhe jo vetëm kaq. Dallimet tona shtrihen edhe në çështjet dhe konceptet themelore për sistemin politik, për reformat, për përfaqësimin e shqiptarëve në politikë, për zgjedhjet, për politikat zhvillimore që ka nevojë vendi që të rikuperohet nga keqqeverisja berishiane.  
Pra, mesazhi i LSI për elektoratin e majtë e jo të majtë është që politikat e LSI do të kenë në qendër të tyre qytetarin dhe cilësinë e jetës së tij, e do të bazohen mbi vlerat më të mira të majta e progresiste, ku zotërojnë shanset e barabarta të individëve, ku ka mundësi për të gjithë e jo për një kastë të ngushtë uzurpatore, ku shpërndarja e të mirave bëhet në mënyrë të drejtë e të ndershme, ku ka solidaritet e mbështetje për më të dobëtin. E realizuar kjo në një ambient demokratik, ku funksionon kushtetuta e ligji, ku pushtetet janë të ndara e kontrollojnë e balancojnë njëri-tjetrin, ku qytetarët nuk mund të pengohen për t’u përfaqësuar në politikë nga lojërat dhe skemat që prodhojnë mendjet perverse pranë lidershipeve autokratike, ku nuk mund të ndodhin më Gërdecë dhe fajtorët t’i shpëtojnë drejtësisë; ku mjedisi dhe ruajtja e tij janë në funksion të jetës më të mirë të qytetarit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, e jo siç po bën kryetari i Bashkisë së Tiranës që po u merr me projektet e tij të betonizimit jo vetëm atë pak gjelbërim që ka mbetur, por edhe hapësirën e ajrit që thithin; ku politikat e zhvillimit janë të organizuara me prioritete të qarta, që kanë synim përmirësimin e shpejtë të jetës së qytetarëve dhe garantimin e një zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Mesazhi im për elektoratin është se unë dhe LSI jemi të lirë për ta mundur Berishën dhe jo të kapur prej tij në interesa personale biznesesh, dosjesh penale, apo regjistrimesh komprometuese, se kemi kurajën dhe aftësinë për ta nxjerrë Berishën përgjithmonë në pension politik.
Nga ajo që duket po del se PS është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar për reformën e Kodit Zgjedhor dhe atë në Drejtësi me Berishën, ndërsa LSI ka marrë pozicione më ekstremiste ndaj kryeministrit? Pse është zgjedhur kjo taktikë nga ana juaj?
Absolutisht jo. Lidershipi i PS ose është naiv e jashtë realitetit, ose është i kapur që po i jep kaq shumë oksigjen Berishës në dëm të reformave. Qëndrimet e LSI nuk janë ekstremiste por realiste. Ju kujtoj se në muajt e parë të qeverisjes së zotit Berisha ne votuam në Parlament bashkë me shumicën për amendamentet për zgjidhjen e konfliktit të interesave në KLD. Atëherë LSI u akuzua ashpër nga zoti Rama edhe pse nuk kishin ndodhur akoma “hatatë” e qeverisë Berisha, si Gërdeci e skandale të tjera. Në atë veprim e bëmë në funksion të programit tonë kundër konfliktit te interesave, dhe në atë kohë, Berisha kishte ardhur në pushtet me kartën e antikorrupsionit. Tani është shumë vonë për të bërë reforma me Berishën. Ai duhet të ikë që të paktën të shpëtojmë zgjedhjet e ardhshme. Përndryshe, përgjegjësia do të jetë tepër e rëndë.
Zoti Rama deklaroi pas protestës se PS nuk do të largohet nga Parlamenti, por do të bëjë aty opozitë ndaj Qeverisë, ndërsa i përmbahet asaj që ju keni kritikuar, hartimit të një ligji për Prokurorinë. Cili do të jetë qëndrimi juaj?
Bojkoti ose jo i parlamentit nuk është as dallimi ynë kryesor me zotin Rama dhe as qëllimi ynë kryesor. Prioriteti ynë kryesor për momentin është imponimi i dorëheqjes së zotit Berisha si kryeministër, si faktori kryesor i bllokimit të reformave në vend, e sidomos në fushën e drejtësisë. Në mënyrë të veçantë si pengesë për Prokurorinë për hetimin e pavarur të Gërdecit. Imponimi i dorëheqjes së kryeministrit kërkon një platformë të gjithanshme brenda e jashtë parlamentit, ku bojkoti mund të jetë ose jo vetëm një instrument i përkohshëm në një kuadër të gjerë veprimesh opozitare. Por zoti Rama e ka bërë të qartë se imponimi i dorëheqjes së zotit Berisha nuk është prioriteti i tij kryesor, por bërja e një ligji të ri për Prokurorinë së bashku me kryeministrin Berisha. Unë dua t’i pyes të gjithë socialistët e progresistët se a mund të jetë prioriteti imediat i kryetarit të PS i njëjtë me atë të kryeministrit Berisha? Pasi dihet se Prokuroria nuk e ka kërkuar një ligj të tillë, pasi aktualisht ajo vepron në bazë të një ligji. Në fakt kjo është një iniciativë e kryeministrit Berisha pikërisht për të vendosur kontrollin mbi Prokurorinë në një moment  kritik si ky i avancimeve të hetimeve për Gërdecin. Si mund të besohet së zoti Rama me shumicën parlamentare të zotit Berisha do të bëjë një ligj më të mirë për Prokurorinë, pikërisht për të hetuar zotin Berisha dhe qeveritarët e tij?!
Z.Meta, megjithëse LSI dhe opozita e ka akuzuar qeverisjen e Berishës për korrupsion, kapje të institucioneve të pavarura dhe aferën e Gërdecit, Kryeministri flet për “7 muajt që ndryshuan Shqipërinë” në daljet e tij publike. A i jepni ju ndonjë meritë kësaj qeverie dhe sipas jush cilat janë disa nga pikat më të dobëta të saj?
Vlerësimin më të mirë kësaj qeverie ia japin qytetarët që ndjejnë mbi shpinë pasojat e pa-aftësisë së saj.  Kjo është qeveria që ka përbaltur keqas flamurin e fitores së saj elektorale në 2005, atë të luftës kundër korrupsionit, duke u bërë vetë kryeministri figura me përfaqësuese për këtë fenomen shkatërrues për shtetin e qytetarët. Eshtë qeveria e Gërdecit, e mungesës totale të përgjegjshmërisë dhe humanizmit. Kjo është qeveria e shkatërrimit të institucioneve dhe e filozofisë së partisë shtet, ku gjithçka, çdo institucion kontrollohet nga një njeri i vetëm me emrin Sali Berisha. Kjo është qeveria e duarve të lidhura përpara krizave ekonomike e rritjes së çmimeve, që i pakësoi edhe bukën e përditshme shqiptarëve. Merita e vetme që ka Berisha është se një herë të vetme u tregua e sinqertë duke thënë: Mos besoni ato që premtojmë në fushata elektorale!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›