E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello: “Kontrolli i Lartë i Shtetit të hetojë abuzimet e Televizionit Publik Shqiptar”



Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit të Raportit më të fundit të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve. Duke komentuar këtë raport, deputeti socialist Marko Bello tha se në të konfirmohet sërish injorimi që po u bën Radio Televizioni Shqiptar veprimtarive politike të partive të opozitës, ndërsa nga ana tjetër aktivitetet politike të maxhorancës zënë pjesën më të madhe të transmetimit televiziv. Bello tha se RTSH-ja është kthyer një media që po keqpërdoret nga kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ai i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit që të hetojë abuzimet skandaloze që ka bërë ky institucion. “Me gjithë shqetësimin e ngritur nga drejtues të Partisë Socialiste se Radiotelevizioni Shqiptar, si operatori i vetëm publik kombëtar, po demonstron njëanshmëri të dukshme në favor të partisë në pushtet, në raportin e KKRT-së për vitin 2008 rezulton qartë se ky shqetësim jo vetëm nuk është marrë në konsideratë, por përkundrazi, njëanshmëria është thelluar deri në atë shkallë sa mund të themi se sot ky ent i rëndësishëm publik është kthyer në një institucion tërësisht partiak. Në këtë pasqyrim servil dhe bajat të bëmave të Berishës dhe Topallit, jo vetëm minutazhi është në favor të maxhorancës, por edhe ndërtimi i lajmit, mënyra se si qëmtohet dhe stiset ai, tregojnë se sa poshtë ka rënë niveli i një televizioni, për ekzistencën e të cilit kontribuojnë me paratë e tyre të gjithë shqiptarët. Gjej rastin t'i kërkoj KLSH-së të nisë menjëherë kontrollin në RTSH, për të davaritur çdo dyshim mbi abuzimet skandaloze me fondet publike dhe pronësinë e saj anembanë vendit, e cila po u jepet operatorëve privatë për 1 euro”, - tha Bello.

Çuli: “Berisha po e trajton TVSH-në si televizion privat të tij”

Edhe Partia Social-Demokrate ka akuzuar Televizionin Publik Shqiptar se po shkel ligjin, duke u kthyer në instrument të qeverisë dhe të maxhorancës. Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, tha se kryeministri Berisha po e trajton TVSH-në si televizion privat të tij. Çuli tha se në kronikat e edicioneve informative të TVSH-së dominojnë aktivitetet e maxhorancës, ndërkohë që për parti të caktuara të opozitës pasqyrimi i aktiviteteve të tyre është në nivel zero. “Ky Televizion, i pasuar dhe nga Radioja, duke shkelur ligjin dhe të gjitha kriteret e vendosura, po dëshmon dita-ditës se është vetëm një instrument i qeverisë dhe i maxhorancës, një mjet në dorën e kryeministrit, si televizion privat i tij dhe i shumicës në pushtet. Drejtuesit e Televizionit Publik Shqiptar, gjatë vitit 2008, e kanë rritur ndjeshëm praninë dhe pasqyrimin e veprimtarive të kryeministrit Berisha dhe të maxhorancës, ndërkohë që koha e vënë në dispozicion për pasqyrimin e veprimtarive të partive politike të opozitës është zvogëluar dy herë. Në këtë zvogëlim kemi dhe shkallëzime të mëtejshme, ku Partisë Socialdemokrate i kufizohen pothuajse fare hapësirat. Madje dhe në vetë raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, të sjellë për miratim në Kuvend, nuk ka qenë e mundur të mos shënohet mungesa e balancimit të minutazhit mes forcave të ndryshme politike”, - tha Çuli.

19 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›