Tragjedia, vdes nga i ftohti dhe mungesa e kurimit foshnja
Fëmija ka shkuar në spital i vdekur, nga një ftohje në mushkëri. Prindërit nuk kishin as mundësi për ngrohje
Korçë- Një foshnje ka vdekur nga i ftohti, mungesa e kujdesit shëndetësor dhe ndoshta edhe uria, tri ditë më parë në Zvezdë të Korçës. Familja nuk ka mundur të kujdeset për të miturën që ka humbur jetën para se të shkojë në spital, ndërsa më parë prindërit nuk kanë mundur t’i japin mjekimin e duhur për mungesë parash.
Tragjedia
Gjendja e vështirë ekonomike ka bërë që dy prindër në fshatin Zvezdë të rrethit të Korçës të mos mundin të mjekojnë si duhet vajzën e tyre. Ajo ishte trajtuar në spitalin pediatrik të Korçës pas një ftohjeje të rëndë dhe ishte kthyer në shtëpi. Prindërit e fatkeqes me inicialet M.Sh. nuk kanë mundur ta çojnë së dyti në spital për ndihmë më të specializuar mjekësore. Ata tregojnë pas vdekjes së fëmijës, e cila sipas mjekëve ligjorë pas autopsisë është një vdekje natyrale, tregojnë se pamundësia për të siguruar ngrohjen në këto ditë të ftohta dimri dhe kushtet e vështira ekonomike të tyre i ka bërë ata të mos shkonin sërish në Korçë për ndihmë mjekësore. “Këtu flinte me mua. Një dhomë kemi ku do të flinte. Gjeta nja dy drurë jashtë që i futa zjarrit, por, sa do, fëmija do zjarr gjithë natën. Nuk rezistoj unë dot këtu , jo më fëmija”,- ka treguar nëna e foshnjës së vdekur. Ndërkohë që babai i saj ka pohuar se nuk kishte asnjë mundësi pune dhe se punonte vetëm kur e thërrisnin bashkëfshatarët. “Dal, po munda të gjej ndonjë punë punoj, kur nuk ka punë rrimë pa ngrënë”,- rrëfen ai.
Të varfër
Ata kanë treguar se jetojnë në një dhomë të vogël dhe të ftohtë dhe duke qenë të papunë nuk kishin mundësi as të siguronin ngrohjen e banesës së tyre të varfër. Me temperaturat tejet të ulëta disa gradë nën zero nuk arrinin të krijonin një ambient të ngrohtë, për më tepër që gjatë natës kjo mundësi nuk ekzistonte. Çifti i fëmijës fatkeqe tregon se nuk kanë mundësi punësimi, megjithëse kanë trokitur në të gjitha dyert e shtetit, ndërsa në fshat sa herë u krijohet ndonjë mundësi e vogël nga bashkëfshatarët e tyre e shfrytëzojnë, ndonëse këto mundësi, sipas tyre, janë të pakta. “E thirri një komshie burrin për punë, 5 mijë lekë e pagoi. I mbajta tri ditë fëmijët me qumësht”,-tha nëna. Burime të policisë së Korçës kanë bërë të ditur se fëmija ka mbërritur i vdekur në spitalin pediatrik të Korçës më 23 dhjetor, ndërsa pas autopsisë është konstatuar se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Sipas tyre, fëmija ishte trajtuar në këtë spital pas një ftohjeje të rëndë që kishte kaluar në mushkri.