E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmujë te Brazili,tërhiqet Ramalho,trajner Menezes

BRAZIL- Mund të quhet çudia e vitit. Murici Ramalho, pasi ishte zgjedhur nga Federata Braziliane trajner i kombëtares, nuk është lejuar nga klubi i Fluminenses dhe tashmë vendin e lënë bosh nga Karlos Dunga e ka marrë Mano Menezes, trajneri i Korinthiasit. Një lëvizje e çuditshme, që ka ardhur si rrjedhojë e vetos së vënë nga klubi i Fluminenses për trajnerin e saj. Të premten në mëngjes Federata Braziliane zyrtarizoi si trajner të ekipit kombëtar Murici Ramalhon, ndërsa pritej vetëm lënia e lirë e tij nga klubi.
Por, presidenti i Fluminenses Roberto Horkades ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta lirojë atë dhe pasditen e së premtes, Ramalho drejtoi rregullisht stërvitjen e skuadrës së tij. Në orët e vona të mbrëmjes, ka ardhur edhe lajmërimi i bujshëm: trajner i Brazilit do të jetë Mano Menezes, trajneri që drejtonte Korinthiasin. Këtë herë nuk ka pasur goditje surprizë, kjo edhe për shkak të raporteve të mira të Korinthiasit me Federatën. Menezes ka dalë përpara mediave, duke pranuar detyrën, që do ta lidhë atë me kombëtaren deri në vitin 2014, kur të organizohet kampionati botëror. Mano Menezes, emri i vërtetë i të cilit është Luis Antonio Venker Menezes, nuk nuk ka qenë ndonjë futbollist i madh, duke luajtur me skuadra gjysmëamatore si Rio Grande do Sul. Edhe si trajner ai ka drejtuar klube të dorës së dytë, ndërsa është i diplomuar për edukim fizik. Karriera e tij mori kthesë në vitin 2005, kur iu ofrua pankina e Gremios, skuadër të cilën ai e ngjiti menjëherë në kategorinë e parë. Për tifozët është ende e paharrueshme fitorja në transfertë ndaj Nautikos, kur Gremio kishte mbetur me 7 futbollistë. Ai fitoi dy tituj me këtë ekip, ndërsa në 2008 arriti deri në finale të Kupës Libertadores, duke u mundur nga Boka Xhuniors. Në vitin 2009 mori drejtimin e Korinthiasit, ku luante edhe Ronaldo, me të cilën fitoi 2 trofe, kampionatin paulist dhe Kupën e Brazilit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›