E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënimi i një pseudo-shteti

Nga Ylber Lili

- Nëse do të marrim në konsideratë shkërmoqjen e Jugosllavisë dhe pavarësimin e shteteve që frymonin në sqetullën e saj, të bie në sy fakti që Maqedonia doli pa lagur nga furtuna e trazirave, konflikteve dhe luftërave. Në këtë kuptim rrënjët e incidenteve të vazhdueshme mes komuniteteve më të mëdha duhet kërkuar tek projektimi i këtij shteti të sajuar, tek kushtetuta e vitit 1991, e cila shtoi në mënyrë marramendëse distancën e rrezikshme etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Përgjatë viteve sa herë që ka dhe ndodhin incidente në Maqedoni, shumëkush me drejtohet me një pyetje: ç’po ndodh me Maqedoninë? Përgjigjen e kam në majë të gjuhës si dje, ashtu edhe sot, por sipas të gjitha gjasave edhe nesër: FYROM ngjason me një pacient që vuan nga një sëmundje e pashërueshme, lindi e ligsht, azmatike, me probleme kardinale në zemër dhe falë valvulës së faktorit ndërkombëtar ende pulson. ǒështë më kryesorja, këtij “pacienti” iu ofruan kirurgë që trashëguan mendësinë e kasapëve. Kiro Gligorovi i ashtuquajturi babai i doktrinës etnocentrike maqedonase u orvat që nga njëra anë të krijojë një shtet identik sipas modelit të Titos dhe nga anë tjetër ta ushtrojë funksionin e tij si president me mendësinë e Millosheviqit. Kjo logjikë dhe mendësi anakronike perceptohej si metodologji jo thjeshtë në funksion të shtet formimit , por edhe të shtet ndërtimit. “Shkëlqimi” dhe rënia e tij, por edhe e shtetit të qelqtë ka shpjegime të sakta të bazuara në argumente. Së pari elitat e shtet-formimit nuk morën në konsideratë modelet e shteteve multietnike të qëndrueshme dhe shtet-ndërtuese. Së dyti, fiksioni i doktrinës serbe lidhur me shtet ndërtimin krijuan parakushte për distancën e rrezikshme mes dy etnive më të mëdha (shqiptarëve dhe maqedonasve) dhe së treti, fshehja e realiteteve historike, linguistike, religjioze, apo thënë më saktë identitare e përkeqësuan sëmundjen e trashëguar saqë tashmë FYROM, po lufton me vdekjen klinike. Në rrethanat aktuale pasuesit e doktrinës së Gligorovit, dje Cervenkovski dhe sot Gruevski nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po i heqin FYROM-it nga një pllakë qejqi, xhamat e së cilës po gjakosin në radhë të parë vetë ata e më pastaj edhe shtetin... Ata të cilët pandehën se me anë të marrëveshjes së Ohrit, FYROM hyri në hullinë e shtet-funksionimit gabuan. Gabuan rëndë kur menjanuan kapacitetet intelektuale dhe politike më në krye Xhaferin, gabuan rëndë duke i lënë dorë të lirë pasuesit dhe nxënësit të zellshëm të Gligorivit sic ishte Branko Cervenkovski i cili e trajtoj dokumentin e Ohrit si letër pa pikën e vlerës, sikundër gabuan që e trajtuan Ahmetin (amator i pashoq në politikë) si “xhandar” për disiplinimin e shqiptarëve të cilët duhen të jenë luajal edhe atëherë kur thika e diskriminimit ndaj shqiptarëve etnike ka depërtuar në palcë, sërish gabojnë kur në krye të qeverisë i kanë dhënë hapësirë një politikani mediokër siç është Gruevski , por që luan fort me kartën e nacionalistit kuturu i cili vazhdon t’i hedhë benzinë zjarrit. Në vend të konkluzioneve, incidentet e fundit kur njomëzakët (vajza dhe djem) shqiptarë gjakosen në pikun e ditës nga dora e zgjatur e qeverisë aktuale, rikonfirmojmë tezën se FYROM, po shkon drejt humnerës. Nëse vazhdohet kështu, as ndërkombëtarët nuk mund të gjejnë ilaçin e shpëtimit. Si përfundim: ç’po ndodh me FYROM? Përgjigjja: rrënimi!


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›