Kombëtarja fiton 2-0 në miqësore
Kombëtarja shqiptare ka fituar 2-0 testin e parë dje në miqësore me modestët e Hasloch. Ndeshja më shumë se një miqësore i ngjate një seance stërvitore pasi edhe pjesët e kësaj ndeshje u zhvilluan me nga 30 minuta lojë. Golat për Kombëtaren tonë u shënuan nga Klodian Duro dhe Besart Berisha. Trajneri Kuzhe aktivizoi këta futbollistë: në portë Isli Hidi u provua, ndonëse me shumë gjasa ndaj Suedisë. Më 14 tetor 1-shi i katërkëndëshit kuqezi do të jetë Samir Ujkani, i cili ka bindur teknikun kroat të kombëtares me lojën e tij në ndeshjet e fundit. Në mbrojtje nga e djathta në të majtë luajtën Dallku, Beqiri, Vrapi dhe Haxhi. Edhe këtu ndryshimet do të jenë në të paktën dy pozicione. Beqiri dhe Vrapi mund t’i lënë vend dyshes Curri-Cana, tashmë të konsoliduar në repartin difensiv. Ndërsa ndihet mjaft rehat 34-vjeçari Altin Haxhi në krahun e majtë të mbrojtjes. Në mesfushë luajtën Duro, Lila, Hyka dhe Skela, ku të paktën njëri prej tyre do t’i lërë vendin Ervin Bulkut në përballjen me Suedinë. Në sulm luajtën dyshja rezervë Kapllani-Berisha, të cilët priten që të "ngrohin" stolin ndaj Suedisë për ti lënë vendin Salihit dhe Bogdanit, në top-formën e tyre më të mirë.