E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda, Coli rrëfen edhe dy atentate

 

Armand Bajrami

Episode të tjera kriminale për të cilat janë vënë nën akuzë të pandehurit e “Bandës së Durrësit” u paraqitën dje për 7 orë me radhë në Gjykatën për Krimet e Rënda. “I penduari i drejtësisë”, Adriatik Coli, vijoi me dëshminë e tij aty ku e kishte ndërprerë në seancën e të hënës. Dëshmia filloi dje në orën 09:00 dhe përfundoi vetëm pak minuta pas orarit zyrtar të punës në Gjykatë. Në seancën më të gjatë të shënuar që prej fillimit të këtij gjykimi tek Krimet e Rënda, i penduari Coli ka rrëfyer për episodet e ekzekutimit të Edi Ongarit dhe Marsel Sotirit. Duke qëndruar i ulur përballë pesëshes gjykuese, me një veshje serioze, këmishë të bardhë me vija holla dhe pantallona blu të errët, Coli i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve. Burime brenda seancës, sqaruan se në dëshminë e tij, Adriatik Coli i është përmbajtur deklarimeve të dhëna për organin e akuzës në vitin 2007. Më poshtë publikohet kronologjia e ngjarjeve referuar deklarimeve të dhëna nga i pandehuri Coli në hetimet paraprake.
Pas njëfarë kohe, unë u shërova dhe dola nga shtëpia. Sa dola shkova në polici dhe mora makinën tip “Lancia”, sepse makinën ma kishte marrë policia kur më goditën. Makinën ma dorëzoi hetuesi i dosjes sime. Mora makinën dhe e çova në një servis që ndodhet sa hyn tek dera e Porto Romanos. Aty është një llamarinist që me duket se e quajnë Luti. Pasi makina u rregullua, nuk e mora unë më. Atë e mori Julian Meçe dhe e përdorte ai. Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë që ty të ka qëlluar Erjon Lame dhe një person që e thërrasin “Bance” por e quajnë A.S. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time aty pashë që Arben Paja, i cili është nga Spitalla shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me Arben Pajën kur hëngrëm një drekë në Spitallë. Dua të them se Arbeni ishte shumë shok edhe me Ilir Xhungën. Një ditë gjatë verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi unë po bëja stërvitje me një shokun tim që e quajnë Y.Shaba, tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen “Stani”, sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17.00, kur ne dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë tek muzeumi dhe morëm një taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty ne pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç’kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë nga Dyli. Aty unë mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri e disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit dhe aty ka qenë Klodi, Plarenti, Lulin. Aty u bisedua se si kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullau, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë. Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qera Plarenti afër shtëpisë së tij, kurse Klodi e afroi në shoqëri Indrit Taullain. Gjatë takimeve tona ne po bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Muhabetet i drejtonte Klodi dhe Luli. Edhe ne merrnim pjesë në këto biseda. Në këtë kohë çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Ilir Xhungës e Arben Pajës në shtëpinë e tij.
Ka qenë korrik i vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit dhe gjeta Jul Meçen. Aty ishte dhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët “Skorpions” dhe një kallash që e kisha mbrapa në bagazh si dhe një paruke të kuqe dhe çoji tek shtëpia jote se do t’i bini Edit bashkë me Jul Meçen. Unë ashtu bëra dhe po prisja gati në shtëpi. Mora edhe një “Benz” 240, që ma dha Luli për ta përdorur për vrasjen. Këtë makinë ai nuk e ka përdorur më parë. E kam parë vetëm atë ditë që e mora unë. Pas një ose dy ditësh, Plarenti, Luli, Indriti dhe Klodi ishin kur tek një shtëpi në kryqëzim tek Muzeumi. Më mori Luli në telefon dhe më tha që merr makinën dhe një “Skorpions” dhe kallashin dhe hajde tek pesëkatëshi në hyrje të lagjes. Shkova aty dhe gjeta Lulin, Klodin dhe Indritin. Hipëm të katërt tek “Benz”-i jeshil. Në atë moment mësuam se Edmond Koci, të cilit ne i themi Monc Çekiçi i cili ka lidhje krushqie me Lulin, e kishte parë në një lokal afër shtëpisë së tij që në mëngjes rreth orës dhjetë që ndodhet afër bar bufe Stadiumit.
Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë kurse unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelën dhe u nisëm. “Skorpions”-in e mori Klodi, ndërsa Kallashin e kishim ne mbrapa unë dhe Indrit Taullai në sediljen e pasme. U nisëm dhe kur u afruam te lokali, Luli më tha që të zbrisja dhe të shikoja sa vetë ishin dhe t’ia bëja me shenjë. Unë zbrita nga makina dhe u afrova dhe pashë që jashtë lokalit ishin ulur te karriget Edi me dy veta të tjerë. Unë i bëra shenjë Lulit me gishta dhe i thashë që janë tre veta, Edi me dy të tjerë duke pirë kafe. Në atë moment zbriti Luli me paruke të kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodiani kishte vënë kapelën e zezë prej meshini me strehë para dhe “Skorpions” në dorë. Ata u afruan anës së murit që të mos i shihnin dhe dolën përballë me tavolinën dhe Klodi e qëlloi nga afër Edin me breshëri. Edi ra përmbys sipër tavolinës. Ata hipën në makinë dhe u larguan, ndërsa unë ika në këmbë në shtëpi. Ata e lanë makinën afër rajonit të policisë në një rrugicë që del tek ish-tregu industrial. Më vonë ata vijnë në këmbë tek shtëpia e ime, Indriti Luli dhe Klodi. Në shtëpi s’kisha njeri. I pyeta unë po makinën ku e keni lënë ata me treguan vendin. Ata thanë që i kishin lënë të gjitha gjërat brenda. Pas ca minutash të rrugica para shtëpisë erdhi një makinë që nuk e mbaj mend sesi ishte dhe mori Klodin e Indritin dhe iku. Luli u largua në këmbë. Pas një ore unë shkova vetë pa më thënë njeri dhe mora makinën që i kishte çelësat në kroskot dhe ishte te shtëpia e M.H., dhe e çova pas muzeumit afër shtëpisë sime. Mora armët dhe parukën dhe e fsheha në një ferrë afër. Makinën e mbylla aty. Rreth një javë më vonë ka qenë muaji korrik 1999, unë isha në shtëpi kur më erdhi një djalë që nuk më kujtohet dhe më tha hajde se të do Luli. Unë hipa në makinë me atë dhe ai me çoi tek një shtëpi e vjetër njëkatëshe që ndodhet tek unaza e plazhit. Aty gjeta Lulin, Plarentin, Klodin dhe Indrit Taullain si dhe burrin e motrës së I.M., që e thërrasin Tiku. Aktualisht Tiku është në Amerikë, sa hyra brenda Plarenti më tha që: “Sot do palosim Marselin. Unë i thasha “ishalla”. Po vij dhe unë të gjuaj se ai më la gjysmë njeriu. Kur u bënë planet, Luli tha: ”Ti Tiku do jesh shofer dhe do marrësh “Benz”-in jeshil që përdorëm tek vrasja e Ed Ongarit dhe do na çosh tek shinat e Trenit, kur del te plazhi Iliria. Vetë do rrish sipër te kodra. Kur të dëgjosh krisma do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i “Plepave” që të kemi të lirë kalimin për në Durrës. Sa ishte errësuar unë mora “Benz”-in jeshil dhe ika bashkë me Lulin, Plarentin, Indrit Taullain dhe Klodin. Ne morën me vete një mitraloz të rëndë “Kolinov”, një mitraloz të lehtë me rrotacile, ku futëm fishekët, një kundra tank, tre automatikë kallashnikov, një e kisha unë katër. Shkova dhe i lashë çunat me armët tek ura. Në makina mbajta vetëm kallashin tim. U ktheva mbrapa dhe qëndrova në buzë të rrugës kryesore në faqe të kodrës. Pas rreth gjysmë ore unë dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova me makinë tek ura, ku më thanë ata. Mora kallashin dola nga makina dhe bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës së Plazh–Durrës, që të kishim rrugën e lirë për t’u larguar. Pas rreth 10 minutash aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë një kallashnikov, kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë “o Klodo, o Klodo”. Pastaj hipën menjëherë në makinë dhe unë hipa në timon. Shkuam deri tek shinat e trenit tek unaza që merr për në Durrës dhe aty zbriti Luli me Plarentin. Luli mori dhe kallashin tim dhe më tha që kthehu merr Klodin. Ata vetë ikën anës shinave. Unë nuk u ktheva se kisha frikën e policisë por vazhdova drejt. Kalova Nish-Gomën e re dhe vazhdova për nga këneta. Kur arrita aty lashë makinën dhe u ktheva në këmbë për në shtëpinë time. Të nesërmen kur dola pashë se në afishe kishte vdekur Marsel Sotiri. Unë shkova mora makinën dhe e çova tek shtëpia e Plarentit. Lashë makinën dhe ika. Pas dy ditësh që u mblodhëm bashkë tek shtëpia e Plarentit dhe biseduam për ngjarjen. Atë ditë në shtëpi ishte Luli, Plarenti, Klodi dhe Indrit Taullai. Klodi i tha Lulit, po ti si ike? Luli i tha që unë të thirra dy herë, po ti nuk u përgjigje dhe e dija se kishe ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh unë shkova të shtëpia e Klodit dhe ai më pyeti si ndodhi muhabeti që ikët. Unë i tregova që kur erdhi Luli unë i thashë që ku është Klodi. Ai thirri dy herë dhe më tha hipë sipër në makinë dhe ec, ec, ec. Klodi nuk foli. Më vona mora vesh nga çunat që Marseli atë ditë, që ishte vrarë kishte pasur një makinë tip “BMW” të blinduar.

Shakatë e anëtarëve të grupit dje në gjykatë
TIRANE – Batutat dhe ironia mes anëtarëve të grupit nuk munguan në seancën e djeshme në ngarkim të “Bandës së Durrësit”. Orari i zgjatur kohor i zhvillimit të seancë, momente lodhjeje të së penduarit Adriatik Coli gjatë dëshmisë, si edhe të pjesëmarrësve të tjerë janë shoqëruar me “të folura pa leje”, që kanë shkaktuar të qeshura në sallë. Si një kërkesë e parashtruar në seancat e mëparshme, ditën e djeshme në sallën numër 1 të Gjykatës për Krimet e Rënda, ku zhvillohen seancat ishin instaluar mikrofona, altoparlantë dhe mjete regjistruese. Burime pranë seancës pohuan se ka mjaftuar ndalimi i dëshmitarit vetëm për të ndryshuar një CD në regjistruesin kur njëri nga të pandehurit ka thënë “vendos çikë atë këngën e Marsidës”. Po sipas burimeve, të qeshura dhe “rrëmujë” në sallë ka sjellë dhe ndërhyrja e njërit prej të pandehurve gjatë dëshmisë së “të penduarit”. Mësohet se duke iu drejtuar atij në formë “ankese” që nuk po i përmendte emrin i ka thënë “vrite edhe një për mua o burri i dheut”. Të qeshura ka shkaktuar përshkrimi i dëshmitarit për parukën e kuqe që pretendohet të jenë mbajtur nga agresorët në ekzekutimin e Eduart Ongarit.       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›