E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënjët e vjetra të politikes së re



Nga Zamir Gjurgji

Kryetari i Partisë Socialiste, E. Rama, shfrytëzoi terrenin pjellor të zhvillimeve demokratike në vend - atë të qytezës studentore - për të mbjellë farën e re të rikthimit të neokomunizmit, si dhe për të shkulur me dhunë të gjitha rrënjët e kalbura të farës së komunizmit arkaik. Me mimikën dhe gjestikulacionin e një artisti të dështuar në kohë dhe frymën e një politikani më tepër në vetërrotullim se sa në ndryshim, me kritikat pa kriter ndaj mitingashëve që dje i mbarste me urrejtje patologjike ndaj kundërshtarit, e sot u kërkon pa një pa dy të hedhin pas shpine mllefin dhe përbaltjen, me antienverizmin e vonuar në kohë - krahasuar me atë të rivalit brenda partisë Majko dhe atij jashtë partisë Meta, me orvatjet për të “rinuar” partinë me adoleshentë si znj. Shazi dhe pinjollë si z. Bushati, dhe më pas për ta ekuilibruar overdozën me më të vjetrit e të vjetërve, sh. Ruçi e sh. Dokle, kreu i paslistës socialiste, paradoksalisht po zhbën vetveten. E megjithatë, pika më kulmore mbetet ajo e rezultatit që prodhojnë këto cic-mice politike, të atyre individëve që Berlusconi i vlerëson si “punonjësit e politikës”.

Për të qenë minimalisht kërkues i votës së ithtarëve dhe simpatizantëve, kreu i së majtës në të djathtë, duhej pikë së pari të fokusohej tek elektorati që i drejtohej, të përcaktonte parimet politike që do t’u përmbahej, e më pas të përdorte të gjitha mjetet e duhura dhe frytdhënëse, për t’ia arritur qëllimit të paracaktuar: ardhjen në pushtet si forcë e vetme. Kurse, një politikë e mbështetur në ‘rolin e Mesisë’ para dymbëdhjetë ndjekësve (konstatuar kjo edhe nga pro-Ramë-sti, A. Çani), në frymën e surealizmit politik, me hedhjen poshtë edhe të Enverit, edhe të Nanos, edhe të Metës, edhe të Berishës, në të njëjtën kohë, duket më shumë se një paradoks, më shumë se një utopi. Gjithsesi, pak më pak se vegimet e ‘njeriut-Zot’ të Niçes.

Qëndrimet publike të E-së së radhës dhe 99-shave brenda dhe jashtë siglës së tij partiake, "se emigrantët duhet të votojnë se e ardhmja e Shqipërisë varet nga ata", është më shumë se hipokrizi e cinizëm bashkë. Për ta thënë troç, smirë e dashakeqësi njëherazi. Kur ora e Bushit bën anti-reklamë, kur kriza ekonomike shpiket dhe atje ku nuk është, kur ‘telenovela Gërdeci’ po u gërditet edhe vetë të majtëve, kur “taksohet vota” dhe “siguria e jetës është në nivele minimale”, kur Bushati i ri bën antishqiptarin edhe në dhe të huaj, atëherë emigranti e gjen më me vend të punojë në dhe të huaj sesa të jetojë në vendin e tij, “si në rrethim”. E në këto raste, fillimisht kuptohen e më pas dalin vetvetiu në pah bindjet e njeriut-politikan që nuk pranon qenien pa pushtet, qoftë edhe lokal, dhe jo më për të diskutuar për ndjekjen e taktikave efikase elektorale, mjeteve të duhura dhe rezultative të komunikimit publik, për të mbërritur në majën e pushtetit qendror.

I kompleksuar nga mospasja mundësi për të goditur rivalin në krah, Ilir Metën - vetëm se ky i fundit zgjodhi “armëpushimin” pikërisht atëherë kur i duhej, i stresuar nga Blushi junior që është boll i aftë të mbajë mend përmendsh një “Otello” të tërë dhe i paaftë të mbajë mend qoftë edhe një strofë të vetme nga “himni Rama”, i tronditur nga ato historitë e donacioneve të ish-“Mjaftit”, që po lënë pa zë edhe një bilbil me vesë, si Erioni i ri, E. Ramës i mbeti të luante kartën e antienveristit, pasi doli bllof me kartën “ID”.

Ai tashmë ka mbetur edhe i vetëm trim në luftë, që më atë komandën “çohu” nuk i binden as ushtarët e paktë që i kishte ulur shesh-besh në livadhet e qytezës së demokracisë. Aq i vetëm dhe aq i vetmuar, saqë mjaftoi një shi pa gjyma, që “ushtria e kreut të vegjëlisë” të shpërndahej sa majtas edhe djathtas, në kërkim të një strehe të re ku të fusnin kokën. Pa pritur aspak që të dilte “ylberi” dhe një “mbret diell” të fanitej mbi kokat e tyre. Sepse, ndjekësit fanatikë të E-ve janë mësuar e stërvitur të ndjekin në shi e baltë, në furtunë e suferinë, vetëm E-në origjinale. Atë që nuk e zinte shiu pa mbyllur mitingun dhe për të cilin “të gjithë ishin ushtarë”. Ndërsa ky E-ja i radhës nuk e kaloi këtë provë acide. Prandaj, mbeti vetë(m) udhëheqës, e vetë(m) udhëndjekës. Tjetër pas nuk ka, nuk i shkon, çka për E-istët tradicionalë dhe ata të moderuar, etiketohet vetëm me dy fjalë: “E-ja kallp. E rreme”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›