E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyn kunatën në vetëvrasje, arrestohet 49-vjeçari Isaku



Shtyu kunatën drejt vetëvrasjes, duke e akuzuar shpesh për tradhti bashkëshortore, rrahje dhe ofendime në shtëpi dhe publik. E gjendur përballë këtyre presioneve psikologjike të kunatit dhe deklarimit se për tradhtinë bashkëshortore të dyshuar do t’u thoshte edhe fëmijëve të saj të mitur, gruaja M. Isaku pi medikamente mjekësore dhe i jep fund jetës. Një 49-vjeçar është arrestuar nga policia e Lushnjës, i dyshuar se ka shtyrë në vetëvrasje kunatën e tij, nusen e vëllait. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në fshatin Cermë-Sektor, rreth 25 km larg qendrës së Lushnjës. Sipas burimeve të policisë, por edhe dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, mësohet se Ilmi Isaku, 49 vjeç, banonte së bashku me të vëllanë dhe babanë në një banesë. Kanë qenë grindjet e herëpashershme mes Ilmiut dhe kunatës së tij, M. Isaku, që detyruan këtë të fundit t’i japë fund jetës dy net më parë, duke pirë “koktej” medikamentesh. Ende nuk bëhen të qarta zyrtarisht motivet për këto debate të përditshme mes dy kunetërve, por sipas banorëve të fshatit ku banon familja Isaku, tregojnë se përditë Ilmiu e rrihte të kunatën dhe sillej keq me, duke e akuzuar se kjo i tradhtonte vëllanë, pra burrin e saj. Madje, sipas burimeve jozyrtare, kunati dyshonte për një lidhje të nuses së vëllait me një djalë të ri nga fshati, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ka qenë kjo arsyeja, sipas burimeve, që Ilmiu e keqtrajtonte, duke i thënë shpesh se ajo po ia hidhte të shoqit, i cili njihej si njeri fare i urtë në fshat. Sipas Ilmiut, këtë konflikt mes tyre e dinte edhe babai i djemve, i cili jetonte së bashku me dy djemtë, nusen, pra viktimën dhe dy fëmijët e saj. Ilmiu ka deklaruar se 34-vjeçarja e mohonte këtë akuzë, duke u thënë familjarëve se asnjëherë nuk i kishte shkuar ndërmend të shkatërronte lidhjen 10-vjeçare me të shoqin, për asnjë arsye. Këtë problem vëllai ia ka bërë të ditur edhe burrit të viktimës, por mësohet se ky i fundit ka besuar gruan e tij, duke u thënë familjarëve të mos ndërhyjnë në marrëdhëniet mes tyre, pasi po e çonin drejt shkatërrimit gjithë familjen. Por, sipas burimeve, duket se Ilmiu ka dashur ta zgjidhë këtë çështje vetë mes tij dhe kunatës, duke i bërë presione të shumta, rrahur dhe kërcënuar disa herë, madje duke i thënë se atë që ai e dyshonte do t’ua tregonte edhe dy fëmijëve të vegjël të çiftit Isaku. Kjo akuzë ndaj saj është mësuar edhe nga fqinjët, pasi kunati i bërtiste fortë dhe e qëllonte edhe në publik, duke i thënë se ajo u kishte turpëruar familjen. E ndodhur në këto kushte, 34-vjecarja, nënë e dy fëmijëve, ka marrë medikamente të vjehrrit nga sirtarët ku ndodheshin dhe i ka pirë. Kanë qenë fëmijët ata që e kanë gjetur të shtrirë përtokë nënën e tyre, duke kërkuar ndihmë tek familjarët dhe fqinjët e familjes. Të gjithë të alarmuar kanë marrë trupin e 34-vjeçares dhe e kanë shoqëruar për në spitalin e Lushnjës, ku pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, gjithçka ishte e kotë. Gruaja e re ka humbur jetën. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka shkuar në banesën e familjes Isaku në Çermë-Sektor dhe ka marrë në pyetje familjarët lidhur me shkaqet që e çuan të renë në vetëflijim. Nga hetimet ka rezultuar se ka qenë kunati ai që e ka rënduar dinjitetin e gruas aq rëndë, saqë kjo e fundit nuk ka mundur ta përballojë dot, duke zgjedhur rrugën e vetëflijimit me medikamente mjekësore. Policia më pas ka kryer edhe ndalimin e kunatit të saj, Ilmiut, nën akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›