Bagdad, kamikazë në dy xhami shiite
Sulmues vetëvrasës kanë sulmuar dy xhami shiite në Bagdad, duke lënë 20 të vrarë dhe duke plagosur 25 të tjerë, thonë forcat irakiane të sigurisë. Tetë persona u vranë gjatë një sulmi vetëvrasës në lagjen Zafaraniya, kurse 12 të tjerë në një sulm vetëvrasës në lagjen e Bagdadit al-Jadida. Policia thotë se në një incident tjetër, gjashtë persona u vranë gjatë një prite në veri të Bagdadit,
Shoferi i një mikrobusi, tre gra dhe dy fëmijë u vranë pranë Bakubës, në provincën Diala.
Viktimat ishin të gjithë sunitë në një zonë ku Ushtria shiite Mahdi gëzon mbështetje të fuqishme, thotë korerspondenti i BBC-së në Bagdad.
Autoritetet kishin paralajmëruar se militantët mund të organizonin sulme në kohën e Bajramit, një prej festave më të rëndësishme të kalendarit mysliman. Të paktën 32 persona u vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën gjatë një serie sulmesh me bomba në Bagdad ditën e dielë.
Ushtria irakiane ka thënë se dhuna në kryeqytet është intensifikuar gjatë javëve të fundit. Megjithatë në mbarë vendin, niveli i dhunës gjatë këtij viti është ulur dukshëm. Mujain e kaluar janë vrarë 359 civilë, nga 884 që u vranë në shtator të vitit të shkuar. Situata është më e mirë, por ende nuk është e qetë plotësisht