E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash, shembet masivi

Mirditë- Nga gërmimet e bëra në lartësi të mëdha përgjatë aksit Rrëshen-Kalimash, pothuaj një ‘mal’ i tërë është shembur në orët e vona në fshatin Mashtërkor të komunës Orosh. Fshat i vendosur luginës së Fanit të Vogël nga dhe kalon traseja e autostradës së re në segmentin Rrëshen-Kalimash.

Gjithçka ndodhi kur një brigadë e kompanisë ndërtuese “Bechtel-Enka” po punonte në trasenë poshtë malit të gërmuar. Një masiv i madh është shkëputur duke zënë trasenë dhe më poshtë luginën e lumit Fan i Vogël. Në ato momente në atë vend ka qenë duke punuar një punonjës turk i firmës ndërtuese me mjetin dhe gërmues të tij, por që për fat ka shpëtuar ndërsa mjeti është prishur totalisht. Qindra punonjës të tjerë me mjete të shumta kanë shkuar për të dhënë ndihmën ndaj 24-vjeçarit Mejdet Pilatin, të cilin e kanë gjetur disa metra poshtë të përfshirë nga dherat e shumta që kanë rrëshqitur përgjatë pjerrësisë së malit të shembur. Për fat ai është gjetur i gjallë, por në gjendje shoku. Ndërkaq mësohet se është bllokuar totalisht rruga që lidh Oroshin me komunën e Fanit, por mjete të shumta të kompanisë po punojnë përgjatë gjithë natës për të hapur rrugën e zënë.

Sipas specialistëve, shembja e masivit të pazakontë të malit ka ardhur për shkak të rreshjeve të shumta të këtyre ditëve, të cilat kanë depërtuar në shtresat përbërëse duke lehtësuar rrëshqitjen e tyre dhe më pas shembjen masive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›