Shpërblimet, datat kur do shpërndahen
Shpërndarja e pensioneve do të bëhet brenda 10 ditëve të fundit të dhjetorit
TIRANË-Shpërndarja e shpërblimeve të fundvitit që qeveria ka parashikuar për 520 mijë pensionistët e vendit, pritet të fillojë në datën 20 dhjetor. Ashtu si në vitet paraardhëse, edhe këtë vit, shpërblimet për pensionistët do të tërhiqen në zyrat e Postës Shqiptare. Këto të fundit do të funksionojnë mbi bazën e një grafiku, që është në përpunim e sipër nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Kështu, duke filluar që nga data 20 dhjetor, deri në orën 13:00, në sportelet e Postës Shqiptare do të paraqiten personat, të cilët kanë datën e tërheqjes së pensionit, të cilët krahas pensionit të përhershëm, do të mund të marrin edhe shpërblimin 5 mijë lekësh të akorduar nga qeveria. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe në datat e tjera, ku deri në orën e sipërpërmendur, krahas pensionit të përhershëm që e kanë të përcaktuar në atë datë, pensionistët do të marrin edhe shpërblimin. Për sa u përket personave, të cilët pensionin e tyre e kanë tërhequr para datës 20 dhjetor, do të ndiqet një praktikë tjetër. Kështu, duke filluar nga data 20 dhjetor, pas orës 13:00, në sportelet e Postës Shqiptare do të shpërndahen shpërblimet për personat, të cilët e kanë tërhequr pensionin në datat 1, 2, dhe 3 dhjetor. Në datën 21 dhjetor, për ata që kanë tërhequr pensionin në datat 4, 5 dhe 6 dhjetor, e kështu me radhë, duke bërë të mundur shpërndarjen e plotë brenda një periudhe 10 ditore. Ashtu siç është edhe praktika e viteve të kaluara, pritet që sportelet e Postës Shqiptare të qëndrojnë të hapura deri në orët e vona të pasdites, në mënyrë që pensionistëve t’u krijohet mundësia e tërheqjes së shpërblimit para mbrëmjes së ndërrimit të viteve. Burime nga ISSH-ja bëjnë të ditur për “Shekulli”-n, se asnjë pensionisti nuk i humb e drejta e përfitimit të këtij shpërblimi, edhe në qoftë se ai nuk e tërheq brenda këtij viti, pasi ndarja e shpërblimit do të vazhdojë edhe pas Vitit të Ri. Shpërblimin e përvitshëm që jepet nga qeveria do ta përfitojnë të gjithë personat, të cilët trajtohen me pension, siç mund të jetë, pensioni i pleqërisë, invaliditetit, familjar, pensione të posaçme, etj. Ky është viti i tretë radhazi, në të cilin pensionistët përfitojnë një shpërblim për festat e fundvitit, ku edhe vitet a kaluara, shuma e shpërblimit ka qenë 5 mijë lekë. Sipas Kryeministrit Berisha, shpërblimi i fundvitit për pensionistët, nuk ka të bëjë me rritjen që qeveria ka parashikuar të bëjë, duke filluar nga muaji maj i vit të ardhshëm, ku parashikohet që rritja të jetë 10 për qind për pensionet e qytetit dhe 20 për qind për të fshatit.
Grafiku i Shpërndarjes së shpërblimeve, sipas datës së marrjes së pensionit
Data e marrjes së pensionit Data e marrjes së shpërblimit
20 dhjetor 20 dhjetor
Data 1-3 dhjetor 20 dhjetor pas orës 13.00
Data 4-6 Dhjetor 21 dhjetor
Data 7-9 dhjetor 22 dhjetor
Data 10-12 dhjetor 23 dhjetor
Data 13-15 24 dhjetor
Data 16-17 25 dhjetor