E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat, në 10 muaj arkëtojnë 86.2 miliardë lekë në buxhet

Administrata doganore arkëtoi 86 miliardë e 248 milionë lekë në buxhetin e shtetit për 10-mujorin e vitit 2008, duke realizuar planin në masën 100.4%. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave njoftuan dje se gjatë periudhës janar-tetor u arkëtuan në buxhetin 369 milionë lekë më shumë se plani. "Administrata Doganore Shqiptare arkëtoi në buxhetin e shtetit 86 miliardë e 248 milionë lekë nga 85 miliardë e 879 milionë lekë që ishte plani i përcaktuar nga Ministria e Financave, me një tejkalim prej 369 milionë lekësh ose 0.4%", - bënë të ditur burimet e mësipërme. Krahasuar me realizimin faktik të të ardhurave për të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-tetor 2007) rritja është 14 % ose 10 miliardë e 636 milionë lekë më shumë. Vetëm gjatë muajit tetor 2008 u arkëtuan në buxhetin e shtetit 9 miliardë e 849 milionë lekë, ose 18 milionë lekë më shumë se plani i përcaktuar nga Ministria e Financave. Ndikim në këtë rritje të ardhurash kanë dhënë zhdoganimet e mallrave të akcizës. Arritje janë shënuar gjatë kësaj periudhe (janar – tetor 2008) edhe në zhdoganimin e mallrave të akcizës, ku veçohet artikulli cigare me një rritje prej 21% krahasuar me periudhën janar-tetor 2007. Karburante janë zhdoganuar për 10-mujorin 2008, 350.439 t nga 336.385 t të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 14.054 t ose 4 % më shumë.

Cigare janë zhdoganuar gjatë kësaj periudhe (janar – tetor 2008), 3.434 t krahasuar me 2.839 t të zhdoganuara gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 595 ton ose 21 % më shumë. Kafe, gjatë kësaj periudhe (janar – tetor 2008) janë zhdoganuar 5.295 t nga 5.046 të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 249 ton ose 5 % më shumë. Birrë janë zhdoganuar për 10-mujorin 2008 29.289. Hektolitra nga 26.688 të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 2.601 hektolitra, ose 10 % më shumë. Janë shënuar suksese të rëndësishme në rritjen e eksporteve në sasi dhe vlerë. Gjatë periudhës janar - tetor 2008 është realizuar një rritje prej 19 % të volumit në total të eksporteve shqiptare e shprehur në vlerë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa eksportet me origjinë shqiptare (Made in Albania) kanë një rritje prej 43 % të shprehur në vlerë.

Gjatë 10-mujorit 2008 janë realizuar një volum mallrash të shprehur në sasi prej 1.519.725 ton krahasuar me 1.413.063 ton mallra që janë eksportuar gjatë 10-mujorit 2007, me një rritje prej 8%. Ndërsa eksportet shqiptare kanë një rritje si volum mallrash prej 10%. Importet në total gjatë periudhës janar – tetor 2008 volumi vlerësohet në 366.486 mln lekë nga 316.496 mln lekë të realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 49.990 mln lekë, ose 16% më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›