Rreshjet e dëborës kanë përfshirë mbrëmë gjithë rrethin e Kukësit
Rreshjet e dëborës që ranë gjatë natës, edhe pse kanë përfshirë gjithë territorin e rrethit të Kukësit, nuk kanë krijuar probleme në akset kryesore rrugore të tij. Në lartësinë mbi 500 metra, trashësia e dëborës ka arritur në rreth 30 centimetra. Drejtori rajonal i ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi tha sot se, "të gjitha akset kryesore rrugore janë të kalueshme nga automjetet, ndërsa në disa prej tyre është e domosdoshme lëvizja me zinxhirë". Sipas tij, për normalizimin e situatës në aksin kryesor rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak është vënë në punë një borëpastruese, veçanërisht në Qafë Shllak ku trashësia e dëborës është më e madhe. Lëvizja e mjeteve me zinxhirë është e domosdoshme edhe në akset Kukës - Shishtavec e Kukës-Peshkopi. Lëvizja e automjeteve paraqitet e vështirësuar në akset rrugore të komunave më malore, si në Grykë Cajë, Zapod, Arrn, ku trashësia e borës ka arritur mbi 30 cm. "Pavarësisht nga vështirësitë, situata është nën kontroll e nuk ka bllokim të akseve rrugore", tha përgjegjësi i zyrës së Emergjencave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.
...