Ministri i Arsimit premtoi sot se vitin tjetër Shqipëria do të ofrojë 130 muaj bursa për studentët

Vitin e ardhshëm akademik 2009-2010, Shqipëria do të ofrojë përsëri 130 muaj bursa për lëvizjen e studentëve dhe të pedagogëve në rrjetet e programit CEEPUS, ka deklaruar mininistri i Arsimit, Fatos Beja, në Bukuresht të Rumanisë, gjatë takimit të Komitetit të Përbashkët të Ministrave të Arsimit të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Sipas burimeve nga Zyra e Shtypit e kësaj Ministrie, ky takim u zhvillua në kuadër të programit CEEPUS, një program bashkëpunimi ndëruniversitar i rrjeteve të universiteteve të vendeve të Evropës Qendrore e Juglindore, i cili nxit lëvizjen e studentëve dhe pedagogëve ndërmjet universiteteve të këtyre vendeve. Zyra e shtypit të MASH bëri të ditur se në këtë aktivitet Ministri Beja foli për realizimet e deritanishme të institucioneve tona të arsimit të lartë në kuadër të projektit, për kuadrin e ri ligjor në fushën e arsimit të lartë, i cili do ta nxitë më tej pjesëmarrjen e vendit tonë në këtë projekt. Ministri ka kërkuar nga vendet anëtare të programit CEEPUS që të lehtësohet dhënia e vizave për studentët pjesëmarrës në këtë projekt. Këtë vit akademik në programin CEEPUS janë përfshirë Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti "Luigj Gurakuqi" i Shkodrës dhe Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës. Në të ardhmen pritet që numri i universiteteve pjesëmarrëse të rritet më tej. Në Bukuresht, Ministri Beja pati takime dypalëshe me ministrat e arsimit të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, ku u bisedua për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendit tonë dhe vendeve të tjera në fushën e arsimit dhe të shkencës. Një takim të veçantë Ministri Beja pati me Ministren e Arsimit dhe Kërkimit të Rumanisë, Zj. Ekaterina Andronesku, me të cilën u ra dakord të punohet për realizimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të arsimit dhe të shkencës të të dy vendeve. Shqipëria merr pjesë për të tretin vit në këtë program. 39 pedagogë dhe studentë shqiptarë kanë shkuar vitin e kaluar në universitetet e këtyre vendeve dhe 15 pedagogë dhe studentë të universiteteve të tyre kanë ardhur në universitetet tona. Në vijim, parashikohen edhe 75 lëvizje të tjera brenda këtij viti akademik. Lëvizjet brenda rrjeteve universitare maten me muaj-bursa, të cilët mbulojnë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit në vendet përkatëse. Pedagogët shkojnë për të dhënë mësim,ndërsa studentët kryejnë një ose disa module dhe marrin kreditet përkatëse, të cilat njihen nga universitetet e rrjeteve ndëruniversitare.
...