Rrëshqitja e tokës, Ballagati mbetet në çadra
Komunat Hysgjokaj dhe Ballagat në rrethin e Lushnjës ishin nga zonat më të dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës gjatë këtij dimri. Në Komunën e Ballagatit numri i banesave të dëmtuara dhe të kthyera në të pabanueshme shkon në 65, ndërsa në Hysgjokaj 20. Gjendja më e vështirë, sipas informacioneve të nënprefekturës së Lushnjës, paraqitet në fshatrat e Komunës Ballagat. Prej dy muajsh banorët e mbetur pa strehë jetojnë në çadrat që u shpërndau qeveria. Ata thonë se ndihma e vetme e dhënë nga qeveria dhe pushteti lokal ishin çadrat dhe një sasi e vogël ushqimesh. “Vetëm një herë kanë ardhur këtu në Ballagat. Na futën në çadra, na dhanë ca ushqime dhe asgjë më shumë. Kemi pothuajse dy muaj pa asnjë ndihmë tjetër”, tha Ilir Korreshi, njëri nga të pastrehët e Ballagatit. Banorët e Ballagatit tregojnë se rrëshqitjet e këtij dimri kanë qenë një katastrofë e vërtetë për ta. Janë dëmtuar jo vetëm banesat e rrugët, por edhe bizneset dhe tokat, me të cilat ata kanë lidhur të ardhmen dhe bukën e përditshme. Dhjetëra hektarë serra kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa janë dëmtuar mbi 400 hektarë tokë bujqësore e kultivuar me prodhimet e stinës. “Bashkë me shtëpitë na iku edhe buka e gojës”, thanë banorët. Zyrtarët e nënprefekturës së Lushnjës thonë se e kanë kryer detyrën. Tashmë duhet që Prefektura e Fierit dhe Këshilli i Qarkut të vendosin për dëmshpërblimin e këtyre banorëve dhe atyre të zonave të tjera në Qarkun e Fierit, që janë dëmtuar nga i njëjti fenomen.
#