“Rrëshqitje” majtas apo pakujdesi politike?
Ka kohë që vëmendja e politikës, por edhe e opinionit publik është mbërthyer tek debati Parlament-President, debat që ka në thelb rrëzimin nga Parlamenti të dekreteve të Presidentit për pesë anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Kjo është një situatë që askush nuk e kishte pritur përpara se z. Topi të zgjidhej Presidenti i Republikës dhe në fakt, ka lënë të habitur, për të mos thënë të zhgënjyer, shumë prej përkrahësve të tij, njëherazi edhe të mazhorancës së djathtë parlamentare që e zgjodhi atë në postin e lartë.
Në këtë vështrim nuk dua të merrem me procedurat, shkeljen apo respektimin e tyre, analizë që ka dominuar debatin e deritanishëm politiko-mediatik, por me atë që unë e konsideroj thelbin e debatit, moralin politik të një situate si kjo.
Besoj se emrat e propozuar, veprimtaria dhe karriera e tyre kanë një rëndësi të veçantë për shkak të problemeve tejet specifike që ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht gjykatat. Megjithëse të gjithë pjesëmarrësit në debat i shmangen rëndësisë së emrave të propozuar, kjo mbetet arsyeja kryesore e rrëzimit të dekreteve dhe për mendimin tim, ka justifikuar totalisht veprimin e mazhorancës parlamentare.
E kam të vështirë të besoj tek një veprim me vetëdije politike të Presidentit pasi kam qenë ndoshta i vetmi mbështetës mediatik i tij në përpjekjet për t’u zgjedhur President i Republikës. Ajo që kam vlerësuar më shumë te figura politike e z. Topi ka qenë pa dyshim distanca e tij me diktaturën, më saktë “djathtizmin” e tij. Kam besuar e ndoshta do të vazhdoj të besoj se qenia e zotit Topi në krye të shtetit shqiptar do të ndikonte në dekomunistizimin dhe dekriminalizimin e institucioneve shtetërore në mënyre të veçantë drejtësisë. Mirëpo dekretet në fjalë, por edhe disa prej dekorimeve të ndërmarra kohët e fundit fatkeqësisht nuk janë përputhur me idenë time dhe ndoshta edhe të mijëra shqiptarëve të tjerë për z. Topi . Me thënë të drejtën, e kisha menduar një përplasje të mundshme mes Presidentit dhe mazhorancës, por duke menduar se kjo do të vinte prej qëndrimeve të djathta të kryetarit të shtetit me një mazhorancë që është e detyruar të ruajë ekuilibra për shkak të koalicionit. E thënë qartë, prisnim që qëndrimi politik i zotit Topi të ishte më i djathte se ajo e shefit të qeverisë, z. Berisha, gjë që ende nuk ka ndodhur, përkundrazi, është Berisha ai që po e manifeston djathtizmin të paktën në rastin e dekreteve .Mosfirmosja e emrave të implikuar në krimet politike të komunizmit ishte më e pakta që unë dhe ndoshta mijëra shqiptarë të tjerë prisnim të bënte zoti Topi për shkak të asaj që ne mendojnë se ai përfaqëson më shumë se politikisht dhe që ishte arsyeja kryesore që e çoi atë në krye të shtetit. Duket se Topi ka gabuar pikërisht në pikën më të fortë të menduar e presupozuar tek ai, antikomunizmin. Ai ndodhet sot në pozitë të vështirë në raportet me përkrahësit e tij politikë pikërisht për ketë arsye. Retorika e tij antikomuniste është tejet e zhvleftësuar nga veprimet që ai po manifeston mbase pa vetëdije politike. Ka zgjedhur festën imagjinare të çlirimit të Skraparit si vizitën e tij të parë zyrtarë në vend që të zgjidhte Postribën, ka dekoruar prokurorin e diktaturës Njazi Jahon, në vend që ta niste një gjë të tillë me të pushkatuarit e Spaçit, për të përfunduar në të njëjtën frymë me dekretet e fundit të Gjykatës së Lartë.
Janë këto veprime të Presidentit që kanë lëkundur besimin tim dhe të shumë të tjerëve te djathtizmi i tij. Është pikërisht kjo arsyeja që zoti Berisha ka marrë apriori mbështetjen e opinionit dhe elektoratit të djathtë në debatin mes mazhorancës dhe Presidentit. Arsyen për këtë ia ka dhënë vetë Topi me “pakujdesinë” e tij për të ruajtur pozicionin politik për të cilin u vlerësua dhe u votua për kryetar shteti. Gjithsesi, vazhdoj të këmbëngul se pavarësisht rasteve të përsëritura, nuk besoj tek një “rrëshqitje” e mirëfilltë majtas me vetëdije të zotit Topi. Besoj tek një lajthitje e momentit apo një keqinformim i këshilltarëve të tij anonimë, mbase edhe të dyshimtë, gjë që është plotësisht e mundur të korrigjohet. Mendoj se zoti Topi e ka mundësinë, por edhe vullnetin të rikthehet në formatin e tij të parapresidencës, si mundësia e vetme për të rimarrë mbështetjen jo vetëm të mazhorancës, por edhe të elektoratit dhe opinionit publik. Nuk besoj se në nivele të tilla të përgjegjësisë mund të funksionojë parimi “për inat të sime vjehrre do shkoj me mullixhinë”. Ruajtja e parimeve politike dhe kontratës me ata që të mundësojnë pushtetin është cilësia kryesore e burrave të shtetit. Kam besuar dhe shpresoj ende që zoti Topi të jetë një i tillë.