E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse nuk bind Kuvendin, s’mund të jesh gjykatës



Pesë gjyqtarët që nuk e kaluan provën e pëlqyeshmërisë në Kuvend, një ditë më vonë kanë dalë në një deklaratë të përbashkët dhe kanë pohuar se janë ndier jo mirë moralisht për mosbesimin që kanë ngjallur. Kristaq Traja, Zamir Poda, Altina Xhoxhaj, Artan Zeneli, Medi Bici janë dekretuar veç e veç, votuar po ashtu, përzgjedhur në të njëjtën mënyrë, por reagojnë së bashku. Përveç pretendimit për të punuar në të njëjtën gjykatë, profesionit, çfarë i bashkonte gjyqtarët pretendues të rrëzuar në Kuvend? Ne thëniet e tyre renditej arsyeja e një votimi politik kundër, që nuk u dha mundësinë e marrjes së mantelit të premtuar. E nëse i referohemi nivelit të përfaqësimit, Parlamenti ka nivelin më të lartë të pushtetit dhe është burues i të gjitha institucioneve. I formuar politikisht ky institucion, më i rëndësishmi në vendimmarrje, ka të drejtë të votojë në mënyrën e tij që në këtë rast ka qenë kushtetuese, në formën më të dukshme. Presidenti që më parë se të merrte këtë detyrë, por dhe shumë herë më pas ka treguar maturi vendimesh, këtë radhë ngjan sikur këshilltari juridik është i njëjti, ai që fuste në udhë të vështirë ish-presidentin Alfred Moisiu. Pra, duke pasur një hapësirë në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, që rekomandon dhe pëlqyeshmëri politike në këtë zgjedhje dhe vendimin e janarit të vitit 2005, që i lejon kohë e kompetencë Parlamentit për të parë meritueshmërinë, atëherë me vend është që Topi të kishte konsumuar kohë me konsultime ndaj palëve politike. Unë, ndaj mendjen që këshilla juridike në adresë të kreut të shtetit nuk ka qenë më e mira që ai ka marrë në këtë detyrë. Një tregues që dallonte mungesën e konsultimeve ka qenë dhe reagimi i juristëve të opozitës që e kanë artikuluar nevojën e një bisede paraprake të kryetarit të shtetit për të zgjedhur emrat e Gjykatës së Lartë. Më tepër se e shqetësuar për dekretet e Presidentit, opozita, që ka votuar pjesërisht kundër, ka qenë dhe është e interesuar gjithnjë më shumë që të rrëzohen firmat e Topit, për të shpërndarë imazhin e një krize mes tij dhe mazhorancës qeverisëse, më saktë mes tij dhe Berishës.

Ndonëse Presidenti është garant i Kushtetutës, Kuvendi është bërë dhe ndryshues i saj në rastet e duhura, prandaj duhet që 140 burra e gra me mandat të dinë e të pyeten gjatë se kush do të jetë në parësinë e drejtësisë. Presidenti Topi pas rrëzimit të dekreteve deklaroi se Kushtetuta nuk u shkel, pra ai si garant nuk shihte shpërfillje të këtij dokument themeli, por rënia ishte një ekzekutim politik. Pra, kreu i shtetit, duke tentuar të vihet mbi palët, ashtu si mirë do ishte, është rrëzuar nga palët në këtë vullnet që ka përcjellë në Parlament. Topi tha se dekretet e tij ishin ekzekutuar politikisht. Atëherë përse zgjedhja e emrave provokoi ekzekutim? Nuk është se qëndron vërejtja që rrëzimi i kandidaturës së Kristaq Trajës, ish-përfaqësuesit tonë në Strasburg është një luks që nuk duhet ta konsumojmë. Jo, nuk është bindëse, sepse nëse Traja në detyrën dhe profesionin e tij të nderuar na ka përfaqësuar në këtë gjykatë evropiane, nuk është se ai ka qenë një përzgjedhje në një garë juridike dhe emrat e tjerë në lëmin e drejtësisë nuk janë apo nuk kanë qenë aspak të denjë të ishin në vend të tij. Ashtu si pasardhësi i tij këto sërish janë lëvizje politike dhe Traja ka qenë një prodhim i mazhorancës së shkuar në këtë pikë të karrierës. Fakti që ai atje ka bërë me tepër drejtësi se politikë, nuk e bën favorit të vetëm për të qenë sërish në krye të listës për vendet bosh në Gjykatën e Lartë. Nëse Zamir Poda ka në të shkuarën e tij juridike vendime gjyqësore apo pjesë të punës të cilat mund të kishin qenë ndryshe pas viteve ‘90, kjo nuk është se emërtohet pakujdesi e sistemit të dikurshëm, por më tepër privilegj i pranuar dhe konsumuar me jo pak bereqet nga juristi. Nuk ka më tepër maturi kandidati tjetër që deklaronte se pas këtij rrëzimi, të persekutuarit nuk do të votojnë më për të djathtën. Jo, kjo është një tjetër sekret që u bë i njohur, se kush ishte marrëveshja që e bëri kandidat anëtarin e tretë të rrëzuar dhe e thënë drejt, 90 për qind e të persekutuarve zor se e njohin kandidatin e pavotuar në Parlament, e s’besoj se kanë ndërmend të bëhen kurban në zgjedhjet e ardhshme e të votojnë për PS-në, se nuk e kanë këtë zotërinë që deshi dikush prej tyre në Gjykatën e Lartë. Kjo është shaka elektronike e fortë, për t’u kapërdirë nga ata që kanë vuajtur nga vendimmarrje të ngjashme në jetën e tyre. Pothuaj të gjitha institucionet në vendin tonë, sipas ndërtimit të Kushtetutës, e kanë burimin në Parlament, ndaj dhe pa e kaluar këtë filtër, qoftë përpara me marrëveshje, qoftë më pas me votim, vështirë se mund të bëhesh titullar apo përfaqësues në një institucion kushtetues. Ndaj, nëse nuk merr pëlqimin, nuk martohesh dot me asnjë gjykatë, sepse s’mund të zgjidhesh shtrembër e të japësh më pas drejtësi. Këtu lypset një këshilltar i mirë juridik, si në Presidencë dhe në Parlament

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›