“Dashuria” dhe diskriminimi i Ramës për fshatarët
Diskutimi në politikën e ditës është përqendruar rreth premtimeve të qeverisë aktuale, çfarë është realizuar dhe çfarë ka mbetur për t’u bërë. Opozita shqiptare duke e parë gotën gjysmë bosh, është përqendruar në problematikat e mëdha që ka shoqëria shqiptare, probleme të akumuluara prej vitesh, pse jo edhe prej shekujsh. Nuk është ndonjë zbulim i madh të thuash që Shqipëria ka një sistem rrugor të amortizuar, sepse mendja diabolike e udhëheqjes komuniste i detyronte shqiptarët të ndërtonin bunkerë dhe tunele, ndërkohë që Evropa ndërtonte rrugë dhe metro.
Fakti që Shqipëria ka trashëguar një strukturë të vjetër të ujësjellës –kanalizimeve në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, prapë është një konstatim fasil, sepse kur evropianët ndërtonin ujësjellës, impiante të pastrimit të ujërave të zeza, Shqipëria puniste ndërtonte transhe luftimi. Kështu, kur kryetari i opozitës shqiptare shkon fshat më fshat për “Dialogun me shqiptarët” e ka mjaft të lehtë të konstatojë vështirësi në jetesën e përditshme të fshatarëve. Por problemi i vërtetë në xhiron që po zhvillon z. Rama është se ai po bie në kontakt për herë të parë me fshatin dhe me shumicën e qyteteve të Shqipërisë. Pra, ai po njeh vetëm Shqipërinë e 2008-ës dhe nuk ka njohur Shqipërinë e vitit ‘97, ‘99 apo 2003. Prandaj shpesh herë ai stonon me realitetin, sepse në shumë zona që shkon, ai thotë se çfarë është bërë në fshatin, qytetin apo zonën tuaj. Ai nuk e ka njohur gjendjen përpara disa vitesh dhe nuk mund të konstatojë ndryshimet që janë bërë. Duke udhëtuar përgjithësisht vetëm, pa deputetët e PS-së, shpeshherë ai bën konstatime qesharake.
P.sh. para disa ditësh ai ishte në zonën time elektorale në Komunën Shënkoll të Lezhës. I hipur mbi një karotrec të verdhë, ngjyrë shumë e preferuar nga Rama, pyeste me zë të çjerrë se çfarë ka bërë qeveria demokratike për ju.
Ai nuk e dinte dhe askush nuk e kishte informuar se karotreci i tij ishte mbi një trotuar të ndërtuar gjatë këtyre 3 viteve, përballë tij ishte një “Qendër Kulturore” e ndërtuar gjatë këtij viti, ndërsa pas tij po ndërtohej shkolla e mesme.
Shpeshherë në Parlament janë bërë deklarime për investimet në total, në përqindje për rrugë, shkolla dhe spitale, gjë e cila duket mjaft abstrakte dhe e pakuptueshme për votuesit. Prandaj, sot unë po përpiqem të rendis disa nga investimet që ka përfituar zona ime elektorale dhe që pata fatin t’i përuroj së bashku me Kryeministrin Berisha gjatë fundjavës që shkoi. Në qytetin e Mamurrasit është ndërtuar rruga autostradë-Mamurras, ndërtesa e bashkisë si dhe shkolla e Fushë–Mamurrasit. Është në ndërtim e sipër rruga Mamurras–Bregdet. Ndërsa në Komunën Fushë-kuqe është përfunduar ndërtesa e komunës dhe rruga autostradë-Fushë-Kuqe si dhe ka filluar të ndërtohet rruga autostradë-Patok. Në komunën e Shënkollit për të cilën pyeste Rama se çfarë është bërë, po i them se është ndërtuar sistemi i ujërave të zeza të Shënkollit, është ndërtuar Qendra Kulturore, shkolla e mesme e komunës. Janë në ndërtim e sipër trotuaret dhe asfaltimi i qendrës së komunës si dhe është në proces tenderimi rruga bregdetare Zejmen-Tale. Ndërsa Rama vazhdon fjalimet e gjata dhe naive rreth bujqësisë dhe fshatit nga një qokë në tjetrën, zonat rurale të Shqipërisë po asfaltohen, po ndërtohen dhe po zhvillohen. E keqja qëndron në faktin se ai është i painformuar ose bën si i tillë. Kurse dashuria e Ramës për fshatin e shprehur me mjaft dhembshuri më duket një hipokrizi e jashtëzakonshme, sepse kryetari i bashkisë Rama, është ai që i quajti të ardhurit, kryesisht nga zonat fshatare, “barbarë”, është ai si kryetar bashkie, i cili ka diskriminuar me investime zona të tëra tek pallatet e Alb-Makut, Siri-Kodra, Institutin Bujqësor etj., etj. Si lider i opozitës shfaqet mjaft i pikëlluar për rrugët në fshatrat e Dibrës, Mirditës apo Skraparit, ndërsa si kryetar bashkie ai i ka diskriminuar dibranët, mirditorët apo skraparllinjtë e ardhur, duke i lënë pa rrugë, pa kanalizime të ujerave të zeza, pa shkolla dhe kopshte. Kjo dyfytyrësi e Ramës është dritëshkurtër, sepse siç thotë Balzaku: “Fshatarët janë të zgjuar dhe praktikë”, dhe e kuptojnë mjaft mirë dashurinë e Ramës si kryetar partie dhe diskriminimin e tij si kryetar bashkie.