“Stuhia”, trafik me 100 pistoleta, katër të arrestuar
Armët mendohet se do të shiteshin në Greqi
Pistoletat transportoheshin me fugon nga Kosova
Në dukje një kontroll rutinë në automjetin e tyre fugon, kur policia ka
zbuluar arsenalin e pistoletave gati për t’u trafikuar. Një superoperacion i koduar “Stuhia”, i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka zbuluar rrjetin e trafikimit të plot 100 pistoletave nga Kosova, në Greqi, duke kaluar nga Kukësi, Shkodra dhe Tirana, e më pas në kufirin jugor të vendit. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të Policisë së shtetit, sipas së cilës, në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë ndaluar Fiqiret Onuzi, 26 vjeç, Alfred Qafa, 25 vjeç, Bujar Ajeti (Gërmizi), 37 vjeç dhe Baftjar Halili, 31 vjeç, tre nga Kukësi dhe një nga Fushë-Arrëzi. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi në automjetin me të cilin udhëtonin iu gjetën 100 copë pistoleta”. Ndërkaq, mësohet se automjeti u bllokua në aksin rrugor Kukës - Qafë Mali. Makina fugon tip “Ford Eskort”, është bllokuar në vendin e quajtur lokal “Bora”, në qytetin e vogël mes Kukësit dhe Shkodrës.
Nga Kosova në Shqipëri, e më pas drejt Greqisë. Ky dyshohet të ketë qenë destinacioni i 100 pistoletave “Mini Blow” të kapura mëngjesin e djeshëm nga policia. Sipas burimeve të kësaj të fundit, nga disa të dhëna të marra në rrugë operative, prej disa ditësh janë mbajtur nën mbikëqyrje katër personat e dyshuar, derisa operacioni i koduar “Stuhia” ka zënë në befasi trafikantët. Operacioni ka startuar që pas mesnatës së të mërkurës, kur agjentët e policisë kanë zbuluar dhe goditur linjën e trafikut të armëve që mendohet se ishin të destinuara se do të shkonin në Greqi. Sipas policisë, transportuesit e armëve janë kapur teksa udhëtonin me një automjet tip “Ford Eskort” me targa KU 077, taksi në dalje të qytetit të Kukësit. Kështu, në bazë të informacioneve, agjentët i kanë bërë shenjë të ndalojnë ndërsa kanë ushtruar kontroll në bagazhin e makinës. Ashtu dhe siç pritej, në të janë gjetur sasia e madhe e pistoletave.
Sipas policisë, Qafa, Gërmizi, Halilaj dhe Onuzi, janë ndaluar rreth orës 04:00 të mëngjesit, pasi gjatë një kontrolli të policisë në mjetin me të cilin udhëtonin, u gjetën pistoletat që do të shiteshin në Greqi. Megjithatë, burime policore janë shprehur një ditë më parë se hetimet sapo kanë nisur, ndaj ende nuk mund të thuhet nëse është një rast i izoluar i trafikut të armëve apo një grup i mirorganizuar i këtij lloj trafiku. Sipas tyre, për transportin e kësaj sasie pistoletash policia ka marrë informacion në rrugë operative. Ndaj katër të arrestuarve ka nisur menjëherë çështja penale, me akuzën e “trafikut të armëve”, ndërkohë që ata po merren në pyetje për të sqaruar përfshirjen e tyre në këtë trafik.