Rreth 1 milion grek në lamtumirën e 15-vjeçarit
Ceremonia mortore në nderim të 15-vjeçarit që u vra të shtunën në Greqi nga dhuna policore morën pjesë afro 1 milion qytetarë grekë. “Zemërimi dhe dhimbja ecin sot krah për krah në rrugët e Athinës teksa kortezhi shoqëron trupin e pajetë për në banesën e fundit”, shkruanin mediat greke.
Ndërsa i jepet lamtumira e fundit adoleshentit, protesta agresive në shtetin helen vazhdojnë në ditën e katërt të tyre. Policia po përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit para Parlamentit.
Policia në Athinë u përlesh përsëri me protestuesit që hidhinin gurë përpara godinës së parlamentit, në ditën e katërt të trazirave, që nxitën opozitën të bënte thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Përleshjet nëpër rrugë u acaruan sot, ndërkohë që bëheshin përgatitjet për varrimin e një adoleshenti, vrasja e të cilit nga policia të shtunën, shkaktoi fillimin e trazirave në Athinë dhe në qytete të tjerë të Greqisë.