Një shtëpi për gratë e dhunuara, e ndërton shteti
Tiranë-Do të kenë një çati të përbashkët të gjitha gratë që kanë provuar dhunë dhe stres në shtëpinë bashkëshortore. Qendra reahabiltuese po ndërtohet nga shteti dhe do të jetë në një vend sekret. Por disa fakte rreth saj i zbuloi sot ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Anastas Duro.
Detyrimin për të mbështetur personat e dhunuar nuk do ta kryejnë vetëm shoqatat, por edhe shteti”, u shpreh ministri. Ndërsa plotësoi se “qendra shtetërore do të ofrojë shërbime shumëdimensionale ndaj këtyre njerëzve”. Ngritja e qëndrës së re shtetërore po realizohet në përputhje me strategjinë “Kundër dhunë në familje” dhe ligjin “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
“Pikërisht për të realizuar mbështetjen ndaj viktimave të dhunës këto ditë kemi përcaktuar edhe godinën që do të shërbejë për krijimin e strëhëzave për gratë e dhunuara, nëpërmjet rikontruksionit që do të bëhet më ndihmën e PNUD”, sqaroi më tej ministri Duro. Viktimat e dhunës, që zakonisht janë gra, do të kenë mundësi të trajtohen në qëndrën shtetërore deri në reabilitimin e tyre. Por vendndodhja e saj për arsye konfidencialiteti, nuk do të publikohet.
Ministri foli në konferencën “Për një Familje dhe Shoqëri të Barabartë dhe pa Dhunë”, organizuar në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet PNUD-it. Gjatë konferencës përfaqësues të PNUD-it thanë se së shpejti do të kryhet edhe një studim kombëtar mbi dhunën. Ndaj, INSTAT dhe organizatat ndërkombëtare të OKB kanë filluar një studim kombëtar për njohjen e nivelit më të qartë mbi dhunën e grave në vend.