Korrupsioni, Rama: Shqiptarët duan drejtësi
Tiranë- Në ditën kundër korrupsionit kreu i socialistëve Edi Rama i ka kujtuar shqiptarëve, se sot më shumë se kurrë është koha për t’i dhënë jetë një bashkimi të ri burrash e grash që duan një Shqipëri të drejtë e të barabartë me të gjithë.
Gjatë një konference për shtyp, Rama ka deklaruar se qeveria e Berishës është e mbuluar nga korrupsioni, ndërkohë që shqiptarët kërkojnë drejtësi.
“Sot është dita kur shqiptarët kërkojnë me zë më të lartë se asnjëherë, drejtësi për 26 viktimat e pafajshme të Gërdecit e për qindra familjet e dëmtuara nga vullkani i korrupsionit shtetëror që shpërtheu në Gërdec; Drejtësi për qindra miliona euro të grabitura nga fondet e rrugës Durrës-Kukës, të cilat kjo qeveri që ditën betohet për popullin e natën pasurohet për vete, do t’ia lerë borxh në kurriz familjeve shqiptare dhe fëmijëve të tyre”- tha Rama.
Shqiptarët që votuan në 3 korrik 2005 për një qeveri duarsh të pastra, sipas tij, e shohin më qartë se asnjëherë që vota e tyre ka shkuar dëm, pasi qeveria kundër korrupsionit është njehsuar sot me korrupsionin. Dhe një qeverisje pa korrupsion, me Berishën në krye, sipas Ramës është një mision i pamundur.
Shqiptarët, ka theksuar më tej Rama kanë nevojë më shumë se asnjëherë për të kthyer faqen e zezë të keqqeverisjes së 17 vjetëve tranzicion, që me Sali Berishën e dytë kanë shënuar kulmin e shpërdorimit të votës e të besimit të tyre.
“Shqiptarët kërkojnë drejtësi për abuzimin marramendës të një grushti pushtetarësh me një sekser serb që ka kthyer në sekser të tijin kryeministrin e Shqipërisë dhe brenda 3 vjetësh ka bërë në Shqipërinë tonë 50 milionë euro pa pasur asnjë aktivitet tjetër përvec bashkëpunimit korruptiv me qeverinë dhe pa paguar asnjë qindarkë taksa”- tha ai, duke numëruar më tej drejtësinë për pronat që grabiten përditë në agjenci e zyra shtetërore ku sekserët e klanit qeveritar bëjnë kërdinë, duke zhveshur nga e drejta e pronës qoftë qytetarë të pafuqishëm të këtij shteti e qoftë shtetin e të gjithë qytetarëve dhe duke bërë pronarë të afërmit e klientët e pushtetit.
Rama ka përmenduar pyjet e lumenjtë që shkatërrohen përditë nga korrupsioni, drejtësi për tokën e bukës e ullishtet që betonohen përditë nga korrupsioni, drejtësi për plazhet e Shqipërisë që masakrohen përditë nga korrupsioni.
“Sot unë u them të gjithë shqiptarëve, socialistëve e demokratëve pa dallim, qytetarëve e qytetareve të këtij vendi të marrë peng nga një grusht politikanësh, se është koha për t’i dhënë jetë një bashkimi të ri burrash e grash që duan një Shqipëri të drejtë e të barabartë me të gjithë”- iu drejtua Rama shqiptarëve.
Ai ka premtuar se ora e kthesës po afron. Ndërkohë që vetëm të bashkuar si shqiptarë e shqiptare, qytetarë e qytetare, pastaj edhe si socialistë e demokratë, që duan një atdhe të denjë për fëmijët e tyre, mund të bëhet realitet kthesa e madhe.