E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 100 viktimat e zjarreve në Australi

Numri i viktimave të zjarreve shkatërrues që kanë përfshirë Australinë Juglindore i është afruar shifrës 100, ndërkohë që mijëra zjarrfikës luftuan gjatë gjithë së dielës për të shuar flakët. Sipas zyrtarëve, situata aktuale është më e rëndë me atë që njihet si "e mërkura e flakëve" e vitit 1983, ku gjetën vdekjen 75 vetë. Rreth 200 mijë hektarë terren janë përfshirë nga zjarret.

"Ndihemi absolutisht të pafuqishëm", u shpreh Mishel Akison, e cila jeton në një zonë periferike të shtetit Viktoria, më i prekuri nga zjarret e tanishme. "Ka lagje që janë shkrumbuar tërësisht. Nuk ka mbetur asgjë më këmbë". Numri i viktimave vazhdoi të rritej gjatë gjithë ditës së djeshme - kishte nga ata të zënë në kurth brenda makinave, apo të tjerë brenda shtëpive.

Mjekët që po merren me trajtimin e të djegurve thanë se bëhej fjalë për plagët më të tmerrshme që shihnin prej vitesh. "Ferri bashkë me shkatërrimin kanë qenë vizitorët e banorëve të Viktorias gjatë 24 orëve të fundit", u shpreh Kryeministri australian, Kevin Rud, në një konferencë për shtyp. "Shumë njerëz gjetën vdekjen. Shumë të tjerë janë plagosur". Kryeministri bëri me dije krijimin e një fondi emergjence për t‘u ardhur në ndihmë më shumë se 600 familjeve që kanë humbur shtëpitë prej tragjedisë. Ai premtoi gjithashtu edhe vënien në dispozicion të më shumë trupave për të shuar zjarret.

Gjatë gjithë së dielës, erërat e forta i shtynë zjarret drejt qyteteve, ku flakët u përhapën me shpejtësi të frikshme, duke djegur qindra shtëpi. Rezidentët u përpoqën t‘u shpëtonin flakëve nëpër bahçet e shtëpive, por pa rezultat. "Më shpëtuan vetëm këto që kam me vete", tha një grua për rrjetin ABC, ("Australian Broadcasting Corporation"). Shtëpia ku banoja që prej 25 vjetësh nuk është më. Kisha punuar shumë për atë shtëpi).

Askush në këtë zonë nuk ka mbetur pa u dëmtuar nga flakët. Xhon Brambi, shef i qeverisjes lokale të Viktorias, tha se zjarri ishte ndalur vetëm pak metra nga shtëpia e prindërve të tij në pjesën perëndimore të këtij shteti. "Për mua, ato orë qenë të tmerrshme", tha Brambi për televizionin ABC. "Isha shumë larg prindërve, më duheshin katër orë për të mbërritur te ta. Babai është te të tetëdhjetat, ndërsa mamaja diçka më e re. Nuk lidheshim dot me ta përmes telefonave, e as shkonim dot në vend. Askush nuk e dinte ç‘bëhej me ta".

Me mbërritjen e mbrëmjes, flakët vazhduan të përskuqnin horizontin. Pamjet ajrore tregonin lumenj ngjyrë të kuqërremtë mes bimësisë së dendur në të gjitha drejtimet. Autoritetet thanë se shpresonin që afrimi i motit disi të lagësht ta përmirësonte gjendjen, madje në disa zona janë regjistruar edhe reshje shiu. Ndërkaq, policia e Viktorias është në hetim e sipër, pasi mendohet që të paktën dy prej zjarreve janë ndezur në mënyrë të qëllimshme. "Nuk kemi bërë asnjë arrestim", u shpreh një zëdhënës. "Po hetojmë disa të dyshuar për momentin".

Zjarret janë ngjarje e përvitshme në Australi. Por këtë vit, kombinimi i një serie faktorësh e ka bërë fenomenin me përmasa shumë të rënda. Mes tyre, më i rëndësishmi, është temperatura që arriti deri 48 gradë Celsius javën e kaluar. Lajmi i mirë është se dje, temperaturat ranë ndjeshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›