E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë të çmendur pas çantave-valixhe

Gjenden shumë pak të tilla në treg. Kushtojnë 25 mijë euro dhe prodhohen vetëm me kërkesa. Ky është modeli i ri krijuar nga "Luis Vuitton" ndërsa ajo "Fendi", me përqindje pambuku, lëkure të shndritshme, e madhe dhe me logo të theksuar kushton rreth 975 euro . Më e lira , nëse të pëlqen ta kesh firmë dhe të veçantë, kushton jo më pak se 500 euro. Ritmi i shpejtë i jetesës prej disa vitesh na ka bërë të gjithë të çmendemi pas çantave të ashtuquajtura valixhe, ku mund të gjesh gjithçka që kërkon.

Një luks i shfrenuar. Janë gjigande, super të mëdha, madje aq sa ato që përdoren për të bërë "shopping". Për të gjithë ata që nuk janë mësuar të ndjekin tendencat më të fundit të modës, ajo e çantave të mëdha mund t‘u duket vërtet një absurditet. Në fund të fundit, përse duhet të mbash në sup çanta super të mëdha, madje ndonjëherë edhe të rënda? Fizioterapistët i këshillojnë dhe mendojnë se të ndihmojnë për të rregulluar problemet e vogla që mund të kesh me shpinën. Por moda është modë dhe kush është i pasionuar vërtet pas saj, paguan çdo lloj çmimi që ato kanë. Çantat, në modë tashmë, janë ato gjigandet dhe ky fenomen është përhapur dukshëm. Nuk ka firmë në botë që të mos ketë një model shumë herë më të madh nga ato të zakonshmet. Nga "Chanel" me të famshmen lëkurë të shndritshme të zezë me tegela të shndritshëm; nga "Yves sant Loren" ku "objekti" i dëshiruar "extralarge" quhet "Muse"; "Burberry" ka "Monorin" e saj prej lëkure të butë, ndërsa nga e mirënjohura "Moschino" na ofrohet modeli i quajtur "Muffin". Çdo stilist, nga "Armani" te "Prada", nga "Versacce" te "Dolcce&Gabbana", nga "Fendi" te "Versacce" nga "Ferre" te "Krizia", nga "Luis Vuitton" te "Hogan", na sjellin modelet e tyre për çantat ku mund të vendosësh vërtet gjithçka. "Nëse çantat e mëdha janë në modë, një shpjegim ekziston. Sot gratë punojnë, janë nëna, kanë mijëra impenjime dhe për t‘i përballuar me sukses të gjitha këto, duhet të marrin me vete shumë gjëra nga shtëpia. Brenda në çantë futet telefoni, kufjet, kompjuteri, sandalet e mbrëmjes (kur nga puna u duhet të shkojnë në restorant), tualetet dhe lodrat për fëmijët. Me pak fjalë, gjithçka dhe çdo ditë e më shumë. Kështu që çanta të bëhet mikesha më e mirë për të dalë nga shumë situata", tregojnë stilistët Dolcce dhe Gabbana. Edhe Gianfranco Ferre tregon se sot femrat nuk mund "të jetojnë" pa çantat e mëdha. "Unë personalisht jam me mendimin që një grua duhet të ketë shumë liri zgjedhjeje. Në gardërobën e saj duhet të ketë çanta të vogla, mesatare dhe të mëdha, që përshtaten me momentet e ndryshme të ditës. Dikur çantat e mëdha ishin vetëm ato që përdoreshin për të bërë pazarin në fundjavë, ndërsa sot përdoren në mënyrë të vazhdueshme në qytet. Megjithatë, mund të them edhe se një mbrëmje me fustan elegant nuk do të shkonte kurrsesi me një ‘thes‘ të madh të vendosur në sup", tregon Ferre. Kështu, nëse del dhe shkon në restorant, ose në një festë, ndoshta do të jetë më mirë ta "parkosh thesin" në ndonjë cep të gardërobës dhe të nxjerrësh prej aty një çantë të vogël elegante, me të cilën mund të ndihesh shumë mirë dhe në lartësinë e duhur. Por nëse çantat bëhen "të mëdha", edhe çmimet nuk ngelen pas. Kështu, pa frikë mund të themi se edhe pse çmimet variojnë nga 700 deri në 2500 dollarë, shitjet janë të kënaqshme. Për të pasur modelin "Canbat", një "shopping bag" prej lëkure, që kushton rreth 4500 euro, duhet të presësh radhën. Po ashtu edhe çantat e "Prada"-s dhe ato "Luis Vuitton" prej lëkure, zbukuruar me aksesorë, nuk i gjen kollaj. Megjithatë, në klasifikimin e çantave më të pëlqyera, ajo që kryeson është "Gaucho" e "Dior"-it, por edhe "Balenciaga" vazhdon të ketë sukses të madh me "Bycker Bag". Mes "new entry" të shndërruara në çanta gjigande, është edhe firma "Mcm", me çantën e saj prej lëkure të shndritshme të kuqe. Por sa do të zgjasë kjo modë? "Nuk ka kthim pas. Më tepër se një modë, çantat e mëdha janë një domosdoshmëri", thotë stilisti Gaetano Navarra. Motivi psikologjik, që sipas ekspertëve fshihet pas kërkesës për çanta "extralarge", është "nevoja për strehë" dhe siguri. Ose ndoshta një motiv tjetër mund të jetë edhe dëshira për t‘u përshtatur me një modë tashmë mbizotëruese. Por edhe pse kufiri mes çantës së madhe dhe valixhes së vogël mund të duket i paqëndrueshëm, asnjëherë nuk duhen ngatërruar këto dy kategori, të dyja të pavarura nga njëra-tjetra. Pastaj, një tjetër karakteristikë që i bën këta aksesorë XXL të pashmangshëm, është se gjithçka brenda tyre organizohet më së miri. Aty gjen vend dhe ke xhepa të përcaktuar mirë për celularët, axhendat, portofolin dhe çelësat. "Çdo gjë ka vendin e vet, duke larguar krejtësisht rrezikun për të kërkuar diçka dhe të lodhesh shumë për ta gjetur, tregon Silvia Venturini Fendi, që pasi ka ideuar çantën e vogël "Baguette", sapo ka nxjerrë modelin "Spy". Një tjetër cilësi që duhet të kenë, thekson stilistja, është butësia dhe rehatia që ato të ofrojnë: "Janë të tmerrshme çantat e mëdha që kanë aq shumë cepa dhe zinxhirë, sa të duket shumë e mundimshme ta hapësh. Maksimumi çantat duhet të jenë të rrumbullakëta, të buta dhe duhet të duken tamam si një jastëk, madje modeli i fundit është i mbushur me pupla pate. Përveçse duhet të jetë komode, duhet të ofrojë mbështetje dhe siguri. Nuk është aspak e thjeshtë të kuptosh përsenë e këtij fenomeni, të zbulosh se si çantat super të mëdha kanë kaq shumë sukses. Në të vërtetë, çantat e "ekzagjeruara", kurrë në modë si këtë vit, janë simbol i privilegjit. Jo vetëm për çmimin e tyre- aksesorët përfaqësojnë 11 për qind të tregut të luksit botëror -por për tipin e grave që i përdorin. Me pak fjalë, çanta të tilla duket se janë bërë vetëm për divat dhe princeshat. Çanta e parë e madhe në historinë moderne ka qenë modeli "Kelly", krijuar nga "Hermes" për princeshën e Monaco-s, që donte t‘u fshihte fotografëve që e ndiqnin këmba-këmbës shenjat e para të shtatzënisë së saj, po ashtu edhe ajo "Birikin", e ideuar, dizajnuar dhe realizuar për një aktore të famshme që i ishte ankuar Presidentit se nuk arrinte të gjente një çantë të madhe për të mbajtur gjithçka që i duhej. Por në të vërtetë, lind pyetja a janë çanta apo shporta. Të krijuara për gra të veçanta, çantat super të mëdha në mënyrë të pashmangshme, nuk mund t‘i përdorë gjithkush.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›