E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 300 serbë vazhdojnë bojkotin e punës

Prishtinë -Rreth 300 pjesëtarë serbë të policisë vazhdojnë në jenë të pezulluar nga puna, tash e një vit - ndonëse marrin paga të rregullta nga Policia e Kosovës - ndërsa autoritetet janë vënë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për t’i kthyer ata në vendet e tyre të punës.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti ka deklaruar për Zërin e Amerikës se policët serbë e kanë pezulluar vetveten nga Policia e Kosovës, ndërsa tërheq vërejtjen se policia e Kosovës do të veprojë si një e vetme në tërë territorin e vendit.

“Fatkeqësisht mund të them se ende kjo pjesë e policisë mbetet shumë e politizuar, shumë e manipuluar nga politika zyrtare Beogradit dhe ne mbetemi ende në pozicionin kur ata nuk po punojmë”, ka thënë Pajaziti, duke shtuar se, “roli i çdo kujt që do t’i ndihmojë ata të kthehen do të jetë pozitiv”.

Pajaziti ka organizuar një grup punues, të përbërë edhe nga strukturat e policisë së Kosovës dhe EULEX-it, i cili do të bëjë vlerësimin e situatës në terren si dhe do të jap propozimet e nevojshme se si duhet vepruar në rastin e policëve serbë. Ai e sheh të nevojshme kthimin e policëve serbë në Policinë e Kosovës, posaçërisht për zonat e banuara me shumicë serbe, megjithatë, ai tërheq vërejtjen se institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje tjetër e cila bie ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket policisë serbe, nuk do të ketë asnjëherë alternativë. Është një proces që po zhvillohet në kuadër të institucionet e tona, është edhe në përputhje me legjislacionin e që është procesi i decentralizimit, i cili do t’u jap komunave shumë më shumë kompetenca. Në kuadër të këtyre do të ketë, dhe është e përcaktuar edhe me ligjin për policinë, një përfshirje e madhe e komunave në përzgjedhjen e komandantëve për stacionet policore. Ky është procesi ynë legal, kjo është agjenda jonë të cilën institucionet e Kosovës po e përcjellin”, tha ai.

Aktualisht në Policinë e Kosovës janë të angazhuar rreth 7 mijë e 200 pjesëtarë, 10 për qind e të cilëve janë nga radhët e komunitetit serb. /VoA/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›