E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanov dhe Frçkovski në raundin e dytë

Shkup - Gara e ngushtë presidenciale ka çuar në raundin e dytë dy kandidatët e partive më të mëdha maqedonase, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Frçkovski nga LSDM-ja, të cilët do të ndeshen në finalen pas dy javëve

Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor pasmesnate, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Invanov i prinë garës presidenciale me mbi 80 mijë vota, në vend të dytë është kandidati i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Lubomir Frçkovski me mbi 50 mijë vota, pas tij radhitet kandidati i pavarur Lube Boshkovski, kandidati i Demokracisë së Re Imer Selmani, kandidati i BDI-së Agron Buxhaku, kandidati i PDSH-së Mirushe Hoxha dhe Nano Ruzhin nga PLD-ja. Rezultatet janë dhënë nga gjysma e materialeve të përpunuara zgjedhore, ndërsa sot priten edhe rezultatet e para preliminare nga gjithsej 2976 qendra të votimit. Sipas informacioneve të fundit të KSHZ-së, jehona e votuesve ka qenë 57, 2 për qind.

Shtabi zgjedhor i VMRO-DPMNE pohon se kandidati për president Gjorge Ivanov udhëheq në garën për president në tërë Maqedoninë në raport 3:1 ndaj kandidatit tjetër.

Sipas zëdhënësit të Shtabit zgjedhor Vllatko Gjorçev për vendin e dytë bëhet betëjë e ashpër mes Fërçkovskit të LSDM-së dhe Boshkovskit të pavarur.

Sipas tij, VMRO-DPMNE në raundin e parë ka fituar në komunën e Prilepit, Manastirit, Novacit, Probishtipit, Gradskos, Kriva Pallankës, Drugovës, Sveti Nikollës, Pehçevos, Kratovës, Gjorçe Petrovit dhe Butelit. VMRO-DPMNE në raundin e parë fitore presin edhe në komunën e Kërçovës, Vevçanit dhe Ilindenit.

Sipas shtabit të Lidhjes Social Demokrate (LSDM), kandidati i tyre Zoran Zaev ka fituar që në raundin e parë në Strumicë, poashtu fitore ka shënuar në raundin e parë edhe kandidati i kësaj partie në Kumanovë, Zoran Damjanovski. Poashtu kjo parti ka bërë të ditur se është në epërsi në Ohër, Berovë, Bosilovë, Novo Sellë dhe komuna të tjera. LSDM dhe VMRO-DPMNE do të zhvillojnë një betejë të ngushtë për presidentin duke pasur parasysh se partia opozitare tashmë llogaritë edhe në votat e Partisë Liberal-Demokrate e cila kandidoi me kandidatin e saj Nano Ruzhin.

Partitë maqedonase deri tani nuk janë deklaruar se do të kërkojnë mbështetjen e partive shqiptare, edhe pse para fillimit të fushatës u shtuan zërat për një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe në këmbim të një pazari politik në kuadër të qeverisjes. Pas 14 ditëve do të zhvillohet raundi i dytë ku shkojnë Ivanov dhe Frçkovski, ndërsa ai kandidat do të fitojë i cili do të sigurojë më shumë vota me kusht që cenzusi i numrit të votuesve të jetë më së paku 40 për qind. (Ardian Mehmeti/INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›