E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 75 milionë lekë deri në tetor për burgimet e padrejta

22/12/2008  Ministria e Financave bën publike shifrat

Për të gjithë ata persona që kanë bërë burg të padrejtë, Ministria e Financave ka akorduar një fond prej 75 milionë lekësh. Burime zyrtare të këtij dikasteri bëjnë të ditur për gazetën “Metropol” se vetëm gjatë periudhës janar - tetor të këtij viti janë ekzekutuar plot 116 raste të tilla dhe këto vendime kanë një kosto prej 75 609 057 lekësh. Por shifra sa vjen e ulet nga vitit në vit, edhe pse vendimet janë shtuar. Më konkretisht ndërsa në vitin 2005 kanë qenë 73 vendime të ekzekutuara dhe vlera financiare e këtyre dëmshpërblimeve ka qenë rreth 114 milionë lekë, një vit më vonë në 2006-n kjo shifër ishte vetëm rreth 97 milionë lekë për rreth 81 vendime të ekzekutuara. Ministria e Financave është e detyruar që në bazë të ligjit të caktojë për çdo viti një fond të veçantë për ata persona që janë dënuar në mënyrë të padrejtë. Ligji numër 9381, i shpallur më datë 28 prill 2005, për kompensimin e burgimit të padrejtë nënkupton si të tillë, periudhën e paraburgimit për një çështje ose akuzë, për të cilën Prokuroria ka pushuar hetimet ose gjykata ka dhënë pafajësi. Gjithsesi, në ministri kanë përfunduar emrat e shtatë personave që kanë fituar gjyqin për dëmshpërblim për burgimin e padrejtë për vitin 2007. Por aktualisht në gjykatë ndodhet vetëm një person që pret marrjen e vendimit të formës së prerë. Kjo pasi rruga për të marrë paratë e dëmshpërblimit që nga momenti i lindjes së të drejtës për t’u dëmshpërblyer kalon nëpër disa faza burokratike. Ndërkohë një pjesë e madhe e të dënuarve padrejtësisht që nga viti i kaluar nuk janë likuiduar ende, ndërsa persona të cilët kanë shuma të mëdha parash, nuk janë futur në listë ende. Sipas të dhënave zyrtare për tre vitet e fundit, llogaritet të jenë shpërblyer për burgimin e padrejtë vetëm 22 shtetas, ndërsa ndodhen në pritje për të marrë paratë e burgut rreth 70 të tjerë.

Vendimet

Viti 2005

janë ekzekutuar 73 vendime me kosto 114 282 mijë lekë

Viti 2006

janë ekzekutuar 81 vendime me kosto 97 157 mijë lekë

Viti 2007

janë ekzekutuar 100 vendime me kosto 76 002 mijë lekë

Janar- tetor 2008

janë ekzekutuar 116 vendime me kosto 75 609 057 lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›