OSSH, kontrata me blerësin ka ngrirë
Çekët kërkojnë garanci për vjedhjet dhe humbjet në rrjet
Ruli: Për shkak të festave, negociatat janë ndërprerë për dy javë
Ndonëse kompania që ka privatizuar OSSH-në është shpallur çekja CEZ, ajo ende nuk është e qartë se si do ta menaxhojë këtë ndërmarrje me shumë probleme. Blerësit e OSSH-së kanë kërkuar garanci ndërkombëtare për këtë ndërmarrje për shkak të vjedhjeve të energjisë dhe humbje që pëson ajo në rrjet. Vetë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka pranuar dje se negociatat janë ndërprerë për një kohë. "Negociatat me kompaninë çeke ÇEZ a.s., për blerjen e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë elektrike (OSSH) deri tani kanë pasur një progres të mirë dhe ato pritet të përfundojnë brenda muajit janar të vitit të ardhshëm", - tha dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. "Jemi në periudhën e fundvitit ku mjaft festa janë përpara, prandaj kemi një pezullim të negociatave për një periudhë 15-ditore, ndërkohë që ky pezullim nuk është një periudhë pasive", - tha ministri Ruli, duke shtuar se deri tani "negociatat kanë pasur progres mjaft të mirë në shumë pika të kontratës që do t'i quaja të vështira". Negocimi me CEZ po vijon në linjë paralele, si me CEZ, ashtu dhe me Bankën Botërore. "Krahas qeverisë shqiptare që negocion me kompaninë çeke CEZ a.s. për të lidhur kontratën në rolin e sipërmarrësit privat si operator shpërndarjeje, po bëhen negociata edhe me Bankën Botërore, e cila do të lëshojë garancinë rregullatore në favor të kompanisë CEZ për këtë investim", - u shpreh ministri i ETE-s, Ruli. Në këtë fazë, OSSH dhe KESH janë duke përgatitur disa informacione teknike dhe financiare shtesë që iu duhen të dyja palëve, si Bankës Botërore, edhe kompanisë çeke CEZ për t'i rifilluar përsëri negocimet në fillim të janarit. Kompania çeke ÇEZ a.s. ofroi më 29 shtator të këtij viti shumën prej 102 milionë euro për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), vlera më e lartë e paraqitur në hapjen e ofertave, ku morën pjesë dy kompani.
OSSH garanton furnizim me energji për festat e fundvitit
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike është duke marrë të gjitha masat për të siguruar bazën materiale dhe gatishmërinë e personelit teknik të saj, që sidomos në ditët e festave të jenë në gjendje të minimizojnë kohën e shkurtimeve dhe ndërprerjeve të energjisë gjatë avarive. Këtë fakt e ka pohuar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. "Situata energjetike për sa i përket mundësisë dhe burimeve të mjaftueshme për të furnizuar popullatën dhe ekonominë në mënyrë të pandërprerë me energji është më se optimale". Sipas tij, niveli i depozitave ujore në kaskadën e Drinit është në nivel maksimal për këtë periudhë dimri. "Ka qenë edhe dhurata e natyrës në bollëkun e reshjeve që na dha në fund të muajit nëntor dhe fillim të dhjetorit. Por, kjo dhuratë e natyrës nuk do të ishte shfrytëzuar nëse nuk do të kishim pasur atë menaxhim shumë të kujdesshëm të kaskadës përgjatë gjithë vitit 2008", - nënvizoi ministri Ruli. Ai theksoi se rezervat hidrike në hidrocentrale janë përdorur me kursimin më të madh, duke importuar gjatë gjithë vitit në mënyrë që ne të hynim në sezonin e dimrit të paktën me garancinë mesatare të mbulimit të nevojave për periudhën e dimrit. "Për sa u përket ndërprerjeve që janë vënë re, ne po e ndjekim përditë situatën. Sigurisht moti i keq, përmbytjet dhe gjendja teknike e sistemit tonë, sidomos atij të shpërndarjes, shkakton në raste të shumta defekte në linjat e transmetimit, në linjat e shpërndarjes, sidomos në nënstacionet e qyteteve", - nënvizoi ministri Ruli, duke shtuar se vetëm mbrëmë në të gjithë territorin e vendit ka pasur rreth 30 transformatorë të djegur dhe kilometra të tëra linja të dëmtuara. Sipas tij, "kjo ndodh jo vetëm në orët e mbingarkesës, kur vetvetiu mbingarkesa në stacione për vetë gjendjen teknike të sistemit tonë i krijon këto probleme, por ndikime ka pasur edhe moti i keq".