Rama:PS-ja në pushtet,zhvillim fshatit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në vazhdim të "Dialogut me Shqipërinë" për çështjet e bujqësisë, është ndalur në Komunën e Farkës në Tiranë. Lideri i opozitës ka kërkuar nga banorët e kësaj zone, që ta ndryshojnë këtë politikë të vjetër, ku politikanët kacafyten me njëri-tjetrin për probleme personale, ndërkohë që i gjithë populli kthehet në një telespektator, që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish. Sipas Ramës, nëse të gjithë organizohen në një rrjet njerëzish, që e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë, por edhe që janë të gatshëm të mbështetin çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, atëherë politika e politikanëve do të flasë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve. Kryetari Socialist, ka premtuar, se në rast fitore në zgjedhjet e 2009-ës, dy nga gjërat ku do të fokusohet PS maksimalisht për të ndryshuar rrënjësisht përqasjen, janë arsimi e bujqësia. Për Edi Ramën, duhet bërë çmos, që fëmijët të arsimohen si duhet, kurse fshatit t'i jepet frymëmarrja e nevojshme.