E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shifrën e rritjes ekonomike 9.9 % e ka konfirmuar FMN-ja



Ekspertët shpjegojnë realitetin e shifrave të rritjes ekonomike

INSTAT: FMN nuk është shprehur për GDP-në tremujorshe

Rritja ekonomike vjetore në nivelin 9.9 për qind për vitin 2008 është reale dhe kjo është pranuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një deklaratë e tillë është bërë dje nga ekspertët e INSTAT, Alketa Spartaku, specialiste e shpërndarjes së informacionit dhe Gjergji Mano, drejtor i Llogarive Kombëtare. Ekspertët sqaruan dje opinionin publik se akuzat e bëra nga opozita se rritja ekonomie s’është reale janë, janë të pavërteta. Sipas tyre, rritjen ekonomike e kanë konfirmuar edhe ekspertët e FMN-së, të cilët kanë qenë prezentë gjatë matjes së saj si 3-mujor.

Gjergji Mamo, drejtori i Llogarive Kombëtare, sqaroi dje se rritja ekonomike për tremujorin e tretë 2008 është 10.1 për qind (krahasuar me tremujorin e tretë të një viti të mëparshëm). Për tremujorin e dytë të vitit 2008 rritja është 11.4 % (me tremujorin e dytë 2007), ndërsa për tremujorin e parë 10.2 % (me tremujorin e parë 2007). Ai sqaroi se në disa media ka pasur keqinterpretime mbi rritjen ekonomike vjetore. Ato janë shprehur se rritja ekonomike krahasuar me një vit më parë është 1.3%. Por sipas tij, shifra 1.3 për qind është ndryshimi me tremujorin e mëparshëm. Pra, kjo tregon ndryshimin e rritjes ekonomike të një tremujori me atë të mëparshëm. “Për vitin 2008, ekonomia për tremujorin e tretë krahasuar me tremujorin e dytë është rritur me 1.3%, ndërsa tremujori i dytë krahasuar me tremujorin e parë të 2008 është rritur me 2.6%. Për tremujorin e parë 2008 krahasuar me tremujorin e katërt 2007 është 2.1%”, - ka sqaruar Mano. Ndërsa për vitin 2008 rritja vjetore deri në shtator të 2008 është 9.9%, ku si krahasim është marrë shuma e katër tremujorëve të fundit, krahasuar kjo me katër tremujorët paraardhës, e më pas e shprehur në përqindje. Ky tregues shpreh rritjen ekonomike deri në atë periudhë e jo atë vjetor, pasi për të nxjerrë rritjen vjetore me këtë metodë duhet të vihen në dispozicion dhe të dhënat e tremujorit të katërt 2008. Për më tepër, PPB-ja tremujore nuk ka për qëllim nxjerrjen e asaj vjetore, por shpreh tendencat e ekonomisë duke e vëzhguar atë në 4 tremujorë. Ekspertët kanë sqaruar se Prodhimi Brendshëm Bruto vjetor kalon në tre faza, ku e para është flash, e dyta është semifinale dhe më pas ajo finale. Deri tek publikimi i PBB-së finale duhen 3 vjet nga përfundimi i vitit kalendarik. Prandaj dhe INSTAT për vitin 2006 nuk ka publikuar ende PBB-në vjetore finale, por semifinale, pasi të dhënat duhen plotësuar dhe revizionuar. Pra, sipas kalendarit të botimeve, INSTAT në maj të vitit 2009 do të publikojë PBB finale për vitin 2006.

Kjo procedurë do të ndiqet për të gjitha PBB-të vjetore të vitit 2007 dhe 2008, pasi të dhënat e plota të jenë në dispozicion, ato do të revizionohen. Më tej ekspertët kanë sqaruar se deklarata e Partisë Socialiste, se shifra e publikuar nga INSTAT është 2-3 herë më e madhe sesa ajo e parashikuar nga FMN, është tërësisht e pavërtetë, pasi FMN nuk është shprehur asnjëherë për PBB-në tremujore, por vetëm për parashikimin e rritjes vjetore ekonomike për vitin 2009. “Ndërkohë që të dhënat e publikuara deri tani janë konfirmuar dhe nga eksperti i FMN-së, Michael Andrews, i cili ka punuar pranë INSTAT dhe do të vazhdojë të asistojë për llogaritjen e PBB-së tremujore dhe në vijim”, - ka sqaruar Mano.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›