E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik nga Al Qaeda

Organizata terroriste Al Qaeda ka kërcënuar se do të sulmojë Kombëtaren e SHBA-së, të Anglisë, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë gjatë Kampionatit botëror 2010, që do të mbahet në Afrikën e Jugut. Sipas një komunikate, këto shtete janë pjesë e “kampanjës sioniste kundër islamit”.

“Do të ishte e jashtëzakonshme të dëgjohet një shpërthim dhe të shihet në transmetim të drejtpërdrejtë një stadium, i cili rrafshohet përtokë së bashku me qindra trupa të vdekur gjatë një ndeshjeje mes SHBA-së dhe Anglisë në stadium të mbushur me tifozë, dashtë Zoti”, shkruante në një komunikatë të një grupi nga Afrika e Jugut i lidhur me Al Qaedan, të publikuar në versionin online të magazinës Mushtaqun Lel Jannah.

SHBA dhe Anglia do të takohen mes vete më 12 qershor në qytetin Rustenburg, në ndeshjen e Grupit C. Sipas komunikatës, Gjermania, Franca dhe Italia janë po ashtu në mesin e caqeve të Al Qaedas.

“Këto shtete janë pjesë e fushatës sioniste kundër islamit”, thuhet në vazhdim të saj. Nëpërmjet mesazhit të saj, Al Qaeda ka thënë se do të përdorë eksploziv që nuk detektohet për t’iu shmangut pikave të kontrollit në Kampionatin botëror, njësoj siç ndodhi me 50 gramë eksploziv që ishte transportuar në Detroit në një aeroplan amerikan.

Më herët, Qeveria e Afrikës së Jugut kishte njoftuar se autoritetet e saj të sigurisë kishin zbuluar një plan të Al Qaedas për sulme gjatë Kampionatit botëror. Qendra Kombëtare e Inteligjencës në Afrikën e Jugut arriti të ndalë disa qytetarë në Somali dhe Mozambik, të cilët punonin për grupin terrorist.

“Çdo kontroll i sigurisë ose aparat detektues që do ta dërgojë Amerika pas kësaj komunikate nuk do të jetë në gjendje të vërejë eksplozivin që do të vendoset në stadiume”, thuhet në përfundim të mesazhit. Ndërsa Federata Botërore e Futbollit, FIFA, ka publikuar një komunikatë, ku ka refuzuar të komentojë rrezikun nga sulmet terroriste.

“FIFA nuk do të komentojë rreth kërcënimeve të mundshme për Kampionatin botëror 2010. Me këto çështje do të merremi së bashku me autoritetet e sigurisë”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa policia nga Afrika e Jugut ka insistuar se planet e tyre të sigurisë gjatë Kampionatit botëror janë adekuate.

“Nuk kemi identifikuar asnjë rrezik specifik sa i përket këtyre njoftimeve. Dyshojmë në besueshmërinë e këtyre njoftimeve, por do të analizojmë përmbajtjen e tyre. Nuk mund ta injorojmë”, tha shefi i policisë, Vishnu Naidoo.

Kampionati botëror fillon më 11 qershor në Johannesburg, kur nikoqiri Afrika e Jugut takohet me Meksikën në ndeshjen e grupit A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›