E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohen katër pllaka të rralla dylli

Koleksionistit elbasanas, Vangjel Kapedani, duket se i është sosur durimi. Koleksioni i rrallë i tij, në të cilin përfshihen me qindra objekte arkeologjike të rralla, ka mbetur jashtë vëmendjes së shtetit. Ai i koleksion këto objekte prej më shumë se 40 vjetësh e jo pa dhimbje deklaron se ka vendosur të nxjerrë në ankand një pjesë të mirë të tyre. "Do të nxjerr në ankand ndërkombëtar jo pak nga objektet e rralla, pasi një pjesë e tyre po dëmtohen dhe nuk shoh ndonjë interesim shtetëror, të paktën për vlerësimin simbolik të tyre", ka thënë Kapedani.

Studioja e tij është një dhomë me qira brenda godinës së Bashkisë së Elbasanit. Prej më shumë se 40 vjetësh, ai "gërmon" në çdo skaj të vendit për mbledhjen dhe grumbullimin e objekteve të rralla arkeologjike, gjuhësore, kulturore e historike. Në "muzeun" e tij gjen një numër të madh objektesh dhe dorëshkrimesh të së shkuarës. Mes tyre ekzistojnë edhe katër pllaka prej dylli, që sipas studiuesve nuk janë rastisur asnjëherë në kërkimet për traditën e shkrimit. Ato janë të parat në llojin e tyre. Vangjel Kapedani i ka gjetur ato në Selcë të Pogradecit. Ato prej dhjetë vitesh "flenë" në lokalin e Kapedanit. Koleksionisti elbasanas i vlerëson shumë. Sipas tij, katër plakat prej dylli, secila e ndryshme nga tjetra, përmbajnë kode apo mesazhe të pa transkriptuara ende nga specialistët. Ata, megjithatë, janë të mendimit se pllakat e dyllit i përkasin shekullit të tretë apo të dytë para Krishtit. Më parë, historiani Shaban Sinani i ka shkruar kreut të Bibliotekës së Vatikanit, Francesco D‘Aiuto për këto katër pllaka dylli, ndërsa ka marrë përgjigjen se ato janë zbulim i shekullit, që nuk i përket vetëm Shqipërisë. Janë dhënë shumë versione nga studiues italianë, britanikë, gjermanë e kroatë, rumunë e grekë, të gjithë janë të mendimit se "procesi i vërtetimit mbetet i hapur". Për mungesë vëmendjeje, koleksionisti elbasanas, ka deklaruar se do t‘i hedhë në ankand pllakat e dyllit. "Pllakat prej dylli janë duke pësuar dëmtime. Shumë shpejt kam ndërmend t‘i hedh në ankand. Ofertat nuk mungojnë", shprehet koleksionisti. Të njëjtin fat rrënues kanë edhe Kryqi i para Krishtit, Kurani njëmijëvjeçar i trashëguar nga Sulltan Mehmeti i Dytë, një Kodik mesjetar, një nga Biblat e para hebraike botuar në Amsterdam e shumë objekte të tjera të rëndësishme, të cilat koleksionisti elbasanas nuk pranon t‘i bëjë publike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›