Rindërtohet minarja e xhamisë së Iljaz bej Mirahorit
Fillojnë punimet për të rindërtuar minaren e xhamisë së vjetër të Iljaz bej Mirahorit në Korçë. Kjo xhami që konsiderohet si simbol i krijimit të qytetit të Korçës, e njëkohësisht mban statusin e një monumenti kulture të kategorisë së parë, prej të paktën 60 vitesh nuk e ka pasur minaren e saj, si pasojë e shkatërrimit nga tërmeti. Xhamia ka qenë edhe një objekt i vizitave turistike për vetë vlerat arkitekturore që mbart. Vitet e fundit, është diskutuar shumë për ringritjen e minaresë së xhamisë Iljaz bej Mirahori, por punimet për rindërtimin e saj kanë filluar vetëm këtë vjeshtë. Është dhënë një fond prej 120 milionë lekësh për ringritjen e minaresë së objektit të kultit fetar mysliman. Dega e Monumenteve të Kulturës në Korçë, e cila ndjek zbatimin e projektit, ka organizuar ditën e hënë edhe fillimin e punimeve për ndërtimin nga e para të minaresë së xhamisë së Iljaz bej Mirahorit. Një firmë private nga Shkodra, në përbërje të së cilës janë thirrur edhe specialistë turq të ndërtimit të xhamive apo minareve, do të zbatojë projektin. Afati i ndërtimit të minaresë është për 60 ditë. Minarja e xhamisë së vjetër të Korçës do të ngrihet në një lartësi 32 metra, në krah të objektit monumental. "Është kënaqësi për besimtarët myslimanë që fillon ndërtimi i minaresë së xhamisë Iljaz bej Mirahori. Falënderojmë qeverinë që tregon interes për objektet e kultit", u shpreh në ceremoninë e fillimit të punimeve për ngritjen e minaresë, Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi. Xhamia e Iljaz bej Mirahorit daton pesë shekuj më parë, që nga viti 1496. Ajo ka një arkitekturë të veçantë dhe dallon për kupolën prej plumbi që nuk ndeshet në asnjë xhami tjetër në Ballkan. Për vlerat e saj është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe një nga monumentet më të rëndësishme kulturore, historike dhe arkitekturore të qytetit të Korçës. Pas tërmetit të rëndë të viteve 1960, minarja e kësaj xhamie u rrënua dhe asnjëherë nuk është vënë dorë për ringritjen e saj, ndërkohë që ka pasur punime të pjesshme restauruese për mirëmbajtjen e këtij objekti.