E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet origjinaliteti i trashëgimisë popullore



Izaura Ndoj

Ka përfunduar tashmë puna për realizimin e 5 vëllimeve me veshje popullore nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova. E ndërkohë që tre të parët e kanë njohur dritën e botimit, dy të tjerët janë ende nëpër diapozitiva dhe presin për të ardhur në duart e gjithë të interesuarve, të realizuara edhe ato nëpër albume të veçanta. Por siç bëhet e ditur në mjedise të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, kjo pritje rrezikon humbjen e origjinalitetit të këtyre vlerave kombëtare. Siç shprehet etnologia Afërdita Onuzi, e gjithë ajo punë e bërë për një kohë të gjatë dhe çdo vlerë që ruhet në dizpozitivët përkatës, rrezikon të humbasë origjinalitetin e ngjyrave dhe tonaliteteve. Ndaj edhe marrja e fondit përkatës duhet të ndodhë sa më parë në mënyrë që këto vlera kombëtare të mos humbasin. “Ashtu sikurse është bërë e ditur ka përfunduar puna për grumbullimin e gjithë materialit për realizimin e albumit të katërt, atë të veshjeve popullore të Veriut të Shqipërisë, në të cilin përfshihen zonat përkatëse të Mirditës, Lezhës, Tropojës, Shkodrës, Pukës e Kukësit. Me këtë vëllim ne mbyllim punën për veshjet e krahinave brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë. Por është për t`u theksuar se në të njëjtën kohë është realizuar gjithashtu edhe vëllimi i pestë, që përfshin vlerat tradicionale, apo kostumet popullore të Kosovës. Për të dyja këto vëllime jemi në pritje të lëvrimit të fondit përkatës, me të cilin do të realizojmë edhe botimin. Në këtë pritje, unë dua të theksoj faktin se kjo e fundit e rrezikon së tepërmi këtë vlerë dhe pasuri që ne kemi grumbulluar për t`ia përçuar atë brezave në vijim. E gjithë puna jonë me fotografimin e kostumeve në fjalë ruhet në diapozitivat përkatës, por kalimi i kohës mund të dëmtojë ngjyrat, tonalitetet e në këtë mënyrë origjinalitetin e tyre”- është shprehur etnologia Onuzi. Më tej ajo tregon vlerat e kësaj pasurie, të përbërë tashmë nga 5 vëllime të realizuara për gjithë trevat shqiptare. Puna për këto albume ka filluar prej vitesh nga krahinat e jugut të Shqipërisë sepse veshjet popullore aty kanë dalë më shpejt. Qytetet që u përfshinë në këtë vëllim ishin Saranda, Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Lushnja, Fieri dhe Berati. Vëllimi i dytë përfshin veshjet e krahinave të Korçës, Kolonjës, Gramshit, Skraparit, Pogradecit dhe Librazhdit. Në vëllimin e tretë bëjnë pjesë veshjet popullore të Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit dhe Dibrës. Ndërsa në vëllimin e katërt ashtu si u përmend edhe më sipër janë vendet si Lezha, Mirdita, Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, Tropoja dhe Kuksi. Dhe së fundi në albumin e pestë janë përfshirë të gjitha veshjet popullore kosovare. Ky i fundit do të ketë edhe një shtojcë e cila do të përmbajë veshjet popullore të fshatrave perëndimore të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi. Gjithashtu Onuzi është shprehur se një risi i këtij vëllimi të pestë është edhe fakti që u arrit të gjendeshin edhe veshjet e luginës së Preshevës, që është në Serbinë Jugore. Pra vëllimi i pestë përfshin veshjet popullore të krahinave që i përkasin krahinave shqiptare, por që gjendjen jashtë kufijve të Shqipërisë. Është fjala për një përmbledhje veshjesh tradicionale të shqiptarëve të Kosovës, pasi në Maqedoni dhe në Mal të Zi, nuk ekzistonte mbështetja e mjaftueshme financiare. E reja e këtij vëllimi është se janë përfshirë edhe veshjet e Medvegjës (Preshevës), e cila aktualisht është një pjesë territoriale në shtetin e Serbisë, por që i përket tashmë shtetit kosovar. “Edhe ky vëllim i pestë ndjek të njëjtën rrugë apo procedim përsa i takon realizimit shkencor, pra ka një parathënie shkencore, hartën e shtrirjes së veshjeve të ndryshme dhe fotografimin e tyre në variante po të ndryshme, konkretisht në ato mjedise ku edhe ato janë përdorur. Gjithashtu dua të theksoj se veshjet janë autentike, ne nuk përdorim riprodhime në albumet tona. Me realizimin e këtyre vëllimeve ne kemi realizuar një detyrë për të fiksuar një trashëgimi kombëtare dhe për ta vënë atë në përdorim të gjithë shqiptarëve e të huajve të interesuar, qofshin këta njerëz të thjeshtë, studentë, studiues apo më gjerë. Në të njëtën kohë mund të them se këto janë edhe në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor në vendin tonë. Janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë popullore dhe nuk kanë në brendësi të tyre thjesht elemente estetike, por edhe mesazhe të kulturës shqiptare”- tregon Onuzi. Më tej ajo tregon se për realizmi e këtij të fundit është bërë një punë e mirë si nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve ashtu edhe nga Instituti Albanologjik i Kosovës me të cilin kanë bashkëpunuar për të përgatitur këtë album. E ndërkohë që tre vëllimet e para janë fiksuar tashmë edhe në botime të veçnata, dy të fundit ai i veshjeve të Veriut dhe ai Kosovës, presin tashmë fondin përkatës për të parë dritën e botimit dhe të jenë në formën e një albumi në duar të gjithë të interesuarve.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›