Sheshi “Skënderbej”, përplasjet qeveri-bashki
Rikonstruksioni i sheshit “Skënderbej” është shndërruar tërësisht në një çështje politike midis socialistëve dhe demokratëve, e cila së shpejti do të zbresë edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Të ndarë në dy kampe dimerialisht të kundërta, sikurse edhe për çështjen e kutive të votimit, midis socialistëve dhe demokratëve do të nisë një konflikt i ri, që është ai për rregullimin e sheshit “Skënderbej”. Lidhur me këtë çështje, grupimi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin bashkiak të Tiranës kanë deklaruar se do të mbështesin vendimin e qeverisë, për të ndërhyrë në asfaltimin e sheshit “Skënderbej”. Kryetari i këtij grupi, që është njëkohësisht edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Ferdinant Poni, tha dje në një konferencë shtypi se kjo do të faktohet në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak. “Në mbledhjen më të parë që do të thërrasim, ne do të solidarizohemi formalisht edhe juridikisht me këtë kontribut të qeverisë për qytetarët e Tiranës”,- deklaroi Poni. Ndërhyrjen për asfaltimin e sheshit “Skënderbej” e ka njoftuar edhe vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e fundit të qeverisë. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës, nga ana e saj, prej kohësh ka lajmëruar për një tjetër ndërhyrje, që e kthen këtë shesh në zonë pa makina.
29 Mars 2010