Tadiç në Bruksel: “Do të bashkëpunojmë me Kosovën, pa e njohur atë”
Presidenti serb Boris Tadiç, i njohur për qëndrimin e tij më liberal krahasuar me aktorët e tjerë politikë në vend, ka deklaruar se Beogradi po përpiqet që të gjejë zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, por pa çuar në njohjen e pavarësisë së saj. Në takimin e zhvilluar në Bruksel me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Ketherin Ashton, Tadiç është shprehur se shpreson që të gjendet një zgjidhje edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në samitet ndërkombëtare. “Shpresoj se do të gjejmë një rrugëdalje dhe të arrijmë një marrëveshje për çështjet që kanë të bëjnë me transportin, gjykatat, policinë dhe doganat, në një mënyrë që të mos çojë në njohjen e pavarësisë”, ka pohuar Tadiç. Presidenti serb ka informuar zyrtaren e lartë europiane se Beogradi është në kontakt të vazhdueshëm me misionet UNMIK dhe EULEX dhe ka theksuar se është regjistruar progres në zbatimin e planit 6 pikësh të OKB-së. Presidenti serb përsëriti qëndrimin e Beogradit se “Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”.
BE-ja përshëndet paktin SHBA-Rusi për çarmatimin
Bashkimi Europian ka mirëpritur marrëveshjen SHBA-Rusi për çarmatimin bërthamor, duke e cilësuar si “përparim të jashtëzakonshëm”. Shefja e diplomacisë europiane, Kethrin Eshton tha se pakti “forcon sigurinë e bashkësisë ndërkombëtare si tërësi”. SHBA-të dhe Rusia arritën një traktat të ri për armët strategjike. Marrëveshja e re do t’i shërbejë Presidentit Obama për t’i dhënë tonin takimit të nivelit të lartë për çështjet bërthamore që do të mbahet në Uashington më 12 dhe 13 prill. Arritja e marrëveshjes u bë me negociata të vështira por probleme të tjera mund të lindin gjatë procesit të ratifikimit në Senatin amerikan. Para se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik të nënshkruanin Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore START 1 në vitin 1991, të dy vendet kishin dhjetëra mijë mbushje bërthamore. Traktati kërkonte reduktimin e tyre në vetëm 6000.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton premtoi të punojë nga afër me Rusinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shkurtime të tjera.
Irak
Allaui, fiton zgjedhjet përgatitet për qeverinë e koalicionit
Ish-kryeministri irakian Ajad Allaui pritet të fillojë bisedimet për krijimin e koalicionit, pasi rezultatet treguan se aleanca e tij laike ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të 7 marsit. Allaui tha se aleanca e tij “Irakija” është e hapur për bisedime me të gjitha grupet dhe siç u shpreh ai, “të gjithë bashkë do ta varrosin sektarizimin politik”. Ai ka në dispozicion 30 ditë për të formuar qeverinë dhe nëse nuk e arrin këtë, Presidenti Xhalal Talabani do të zgjedhë udhëheqësin e një tjetër partie politike për formimin e qevrisë.
Koreja e Jugut
60 të humbur nga fundosja e një anijeje lufte
Pas fundosjes së një anije të marinës së Koresë së Jugut në Detin e Verdhë 60 marinarë konsiderohen ende të humbur. 58 anëtarë të ekuipazhit të "Cheonan-it" u shpëtuan në kufirin e diskutueshëm detar me Korenë e Veriut, bëri të ditur ministria e Mbrojtjes në Seul. Duke iu referuar qarqeve qeveritare mediet koreano-jugore njoftuan se nuk ka të ngjarë që Koreja e Veriut të jetë e përfshirë në fundosjen e anijes së luftës. Me sa duket në kiçin e "Cheonan-it" ka pasur një shpërthim. Në Detin e Verdhë ka pasur disa herë konfrontime midis anijeve nga Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut.
Libi
Medvedev paralajmëron Iranin për sanksione
Presidenti rus Dimitri medvedev ka deklaruar se Rusia nuk përjashton sanksionet ndaj Iranit. Me këtë mesazh, Medvedev u është drejtuar pjesëmarrësve pjesëmarrësve në Konferencën e Legatës Arabe që u mbajt dje në Sirtë të Libisë. Medvedev është shprehur se Rusia dëshiron ta zgjidhë çështjen në mënyrë politiko-diplomatike, por sanksionet edhe pse nuk përbëjnë një zgjidhje optimale, nuk mund të përjashtohen. “Besojmë se zgjidhja e çështjes bërthamore duhet të ndiqet ekskluzivisht me metoda politike dhe diplomatike, duke respektuar plotësisht kartën e OKB-së”, ka pohuar Medvedev.
29 Mars 2010