E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i Kosovës, qeveria indiferente ndaj neutralitetit të KFOR-it



Blerina Olldashi

Gjendja në verin e Kosovës vazhdon të mbetet e njëjtë edhe pas hartimit të strategjisë që synon marrjen e kontrollit nga qeveria. Lidhur me këtë gjendje kanë reaguar ekspertët e sigurisë, të cilët theksojnë se mandati i KFOR-it i bazuar në rezolutën 12 44 parasheh veprimin kundër strukturave paralele serbe, gjë që është kundërshtuar deri më tani nga ky mekanizëm.
Një tjetër çështje shqetësuese është edhe heshtja e Qeverisë, që duket se është pajtuar me këtë qëndrim indiferent. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe njohës të çështjeve të sigurisë në Prishtinë, vlerësojnë se distancimi i misionit të NATO-s nga strategjia për veriun e vendit, nuk duhet të ndikojë në veprimet e këtij misioni kundër strukturave paralele serbe në veri dhe në mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë në atë pjesë të vendit. Neutraliteti i KFOR-it ndaj strategjisë thuhet se ndërlidhet me qëndrimin e tij neutral ndaj statusit të Kosovës, qëndrim ky i bazuar në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili mund të ndryshonte vetëm me një rezolutë të re që do ta zëvendësonte dokumentin ekzistues. Kryetari i Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, Rrustem Mustafa, thotë se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të pranojë synimin e KFOR-it për mbajtjen e sigurisë dhe të stabilitetit në gjithë Kosovën. “jemi në një moment kur na duhet të durojmë deklaratat, edhe pse nuk përkojnë me realitetin, edhe pse janë më të buta për ne. E vërteta është se ka një rëndësi të madhe vendosja e ligjit në veri të vendit, pa probleme të mëdha. Askush, as aktorët vendorë, e as ata ndërkombëtarë, nuk janë interesuar për të përdorur dhunën. Të gjithë janë të përkushtuar për të përdorur shtetin dhe instrumentet ligjore për vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri”, thotë Mustafa. Disa ditë më parë, gjatë një vizitë në veri të Mitrovicës komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, e cilësoi zgjidhjen e problemit të Mitrovicës si çelës të shumë problemeve në Kosovë, por theksoi se KFOR-i do të mbetet neutral dhe nuk do të përzihet në çështje politike. I pyetur nëse strategjia për veriun, si dokument politik, mund të gjejë zbatim, pavarësisht mospërfshirjes së KFOR-it në këtë proces, Mustafa shprehet: “Është vështirë, sepse në shikim të parë shihet uji i turbullt. Por, nuk është vështirë, sepse KFOR-i ka treguar kapacitetet e mirëfillta për zotërimin e situatës çfarëdo qoftë ajo në vendin tonë”. Ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në pjesën veriore të Kosovës, sipas ekspertit për siguri, Ramadan Qehaja, nuk do të jetë e mjaftueshme po qe se synohet integrimi i veriut në sistemin shtetëror të Kosovës dhe rikthimi i sundimit të ligjit atje. Duke folur për deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të lartë të NATO-s, të cilët pranuan se veprimi i strukturave paralele serbe në veri përbën një kërcënim për situatën e sigurisë, Qehaja thekson nevojën për veprime konkrete. Ai shprehet se KFOR-i nuk mund të qëndrojë neutral ndaj kërcënimit që vjen nga Veriu.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›