E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, nisin rrëfimet e dëshmitarëve të Akuzës



Laureta Rryçi

Maratonës së seancave, ku në shënjestër të pyetjeve ka qenë i penduari Adriatik Coli, duket se i ka ardhur fundi. Përfaqësuesit e Akuzës tashmë do të nisin pyetjen e dëshmitarëve që ata do të thërrasin për të vijuar zbardhjen e krimeve që pretendohet se kanë kryer të pandehurit. Gjyqi ndaj 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007, ndërkohë që prokuroria ka thirrur rreth 105 dëshmitarë. Të akuzuarit janë arrestuar këto katër vitet e fundit në operacione të ndryshme policore, si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit dyshohen se janë autorë të një sërë ngjarjesh kriminale si disa vrasje e trafiqe ilegale të ndodhura para disa vitesh në Shqipëri. Prokuroria ka renditur rreth 139 të pandehur, mirëpo vetëm disa prej tyre do të jenë dëshmitarët kyç që thuajse janë po aq të rëndësishëm sa rrëfimi i të penduarit të kësaj dosjeje.
Akuzat
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.04.2005, ka regjistruar procedimin penal numër 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Përçarja e bandës
Sipas dëshmisë së Colit, kur bandat u përçanë, Klodian Saliu mori drejtimin e organizatës në përbërje të së cilës ishin Endrit Dokle, Adriatik Coli dhe disa persona të tjerë. Më datë 26.02.2005 vritet Klodian Saliu. Në lidhje me vrasjen e Saliut nga ana e Endrit Dokles dhe Dritan Colit, të cilët morën drejtimin e kësaj organizate, dyshohej se e kishte kryer i pandehuri Lulzim Berisha në bashkëpunim më të pandehurit Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. “Për këtë, më datë 12.10.2005, i pandehuri Endrit Dokle, në bashkëpunim me të pandehurit Dritan (Adriatik) Coli, Kujtim Buna e Serdjan Sulejmani kanë vrarë me armë zjarri Avni Gashin për të cilin dyshonin se ka ndjekur Saliun natën e vrasjes për llogari të të pandehurit Lulzim Berisha”, - ka thënë dje Coli në dëshminë e tij. Më tej në seancë është thënë se në vijim të veprimtarisë kriminale të të pandehurit Endrit Dokle dhe vetë ai morën përsipër të rekrutonin si anëtarë të organizatës së tyre të pandehurit Altin Olloni, Alban Neli, Elvin Hoxhosmani, Selman Heti dhe Spartak Kalthi për të bërë të mundur vrasjen e të pandehurit Lulzim Berisha. Sipas dëshmisë së Colit, për të arritur këtë qëllim, i pandehuri Endrit Dokle përgatiti planin kriminal duke përdorur vrasës me pagesë, të cilët i rekrutoi në organizatë. Rekrutimi i këtyre shtetasve u bë me ndihmën e anëtarit të organizatës, të pandehurit Altin Olloni, i cili gjeti si persona të përshtatshëm të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nga Burreli kundrejt një shpërblimi prej njëqind mijë eurosh. Duke marrë në konsideratë faktin që të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nuk i njihnin rrugët e Durrësit, ata kërkuan një person që t’i ndihmonte duke drejtuar mjetin. Sipas të penduarit, për të rekrutuar këtë person, ai, bashkë me Doklen, bënë një plan me të pandehurin Kristian Begu. Ky i fundit fillimisht pranoi që ta drejtonte vetë mjetin e krimit, por duke marrë parasysh që ai njihej në qytetin e Durrësit, i pandehuri Endrit Dokle i kërkoi që të gjente një person tjetër kundrejt shpërblimit prej njëzet mijë eurosh që të drejtonte mjetin e krimit. Me gjithë planin e organizuar sërish atentati ka dështuar për shkak se një polic ka ndaluar rastësisht për kontroll të zakonshëm makinën me të cilën do të bëhej krimi dhe në bagazhin e saj janë gjetur armë.

Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan (Adriatik) Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›