Rrezikon puset e naftës, arrestohet zjarrëvënësi
Fier- Dy puse nafte të sektorit Nr 7 Zharzë janë rrezikuar sot nga një zjarr, i cili ka djegur një sipërfaqe prej 5 dynym toke. Sipas policisë shetasi Ferit Grëmbi, 66-vjeç i ka vënë flakën arës së tij, por ka harruar se shumë afër tokës së tij shtriheshin puset e zonës së Zharzës.
Më të rrezikuara ka qenë puset NR 412 dhe 851 të sektorit Nr 7, ku flakët e zjarrit i janë afruar shumë, duke rrezikuar seriozisht përfshirjen e tyre nga zjarri.
Është dashur ndërhyrja e repartit zjarrfikës, që zjarri të mos kalonte te puset. Pasi është normalizuar situata policia ka arrestuar zjarrëvënësin me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr. Prej fillimit të muajit korrik policia ka arrestuar për këtë vepër penale 10 persona, të cilët do të përgjigjen para drejtësisë.