Rrezikon shembjen shtëpia 280-vjecare e Thanas Vajës

Sipas banorëve, prej katër vjetësh në tavanet, muret ndarëse dhe muret e jashtme të kësaj shtëpie, me moshë gati treshekullore, janë shfaqur plasaritje të thella, të cilat nga viti në vit kanë ardhur duke u zgjeruar.
"Kemi shumë vjet që jetojmë në ankth, por kemi të paktën dy vjet që kemi parashtruar një ankesë për këtë rrezik shembjeje në bashki, prefekturë, qark dhe në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, por deri tani nuk kemi asnjë zgjidhje", tha nje banore në një prej apartamenteve të këtij pallati në lagjen "Varrosh".
Nërtesa me mure dhe çati guri, ku banojnë pesë familje, është ndërtuar në vitin 1815 dhe është konfiskuar nga autoritetet e perandorisë osmane në vitin 1873, pasi në atë kohë nga administrata turke u zbulua se ishte ndërtuar dhe ishte në pronësi të një prej figurave më të njohura dhe më besnike të divanit të Ali Pashë Tepelenës.
Pas ndëshkimit shembullor që ushtritë e Sulltanit i bënë Aliut dhe Thanasit, qiraxhinjtë që banonin në këtë shtëpi e mbajtën sekret për një kohë të gjatë pronësinë e saj, derisa rreth vitit 1873 autoritetet turke zbuluan pronësinë e godinës dhe e sekuestruan atë.
Për vite të tëra ajo mbeti në pronësi shtetërore, status që e trashëgoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Funksioni si banesë që nisi qysh në vitin 1945, kur aty u vendosën familjet e para, ka vazhduar deri më sot, kur aktualisht në të banojnë pesë familje.